Ra në ujë teksa peshkonte me të vëllanë në Porto Romano, polumbarët e RENEA-s në kërkim të 40 vjeçarit

Polumbarët e RENEA-s vijojnë edhe këtë të hënë me kërkimet për gjetjen e një 40 vjeçari i cili ra në ujërat pranë Porto Romanos teksa peshkonte me të vëllanë.

Ka qenë ky i fundit i cili njoftoi autoritetet duke shpjeguar se i vëllai Aurel Ndoni ra në ujë dhe u tërhoq nga rrymat detare.

Vëllezërit kishin shkuar për të gjuajtur peshk me grep. 40 vjeçari ka rrëshqitur nga varka dhe ka rënë në ujë.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 17:15 (e dielë), kanë shkuar për të peshkuar në Porto Romano, shtetasit A. B., 40 vjeç, E. N., 34 vjeç (vëllai i 40-vjeçarit) dhe M. V., 33 vjeç. Gjatë peshkimit dyshohet se ka rrëshqitur dhe ka rënë në ujë, shtetasi A. B., i cili është tërhequr nga rryma dhe nuk ka mundur të dalë nga deti.

Shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe së bashku me polumbarët e RENEA-s do të kryejnë kërkimet për gjetjen e trupit të shtetasit A. B.

Ndërkaq, një grup i posaçëm hetimor i ngritur për rastin, po kryen hetimet për të zbardhur rrethanat.