Ra nga 45 metra lartësi, detajet e vdekjes së 22 vjeçarit shqiptar në Itali: Do të martohej së shpejti

Sami Macukulli po punonte në një shtyllë të lartë tensioni në Terna (Castelgnato), kur për arsye ende të paqarta, ra nga 45 metra drejt vdekjes.Samiu ishte veçse 22 vjeçar. Ishte i lidhur me një kavo, por mesa duket mjeti i sigurisë ishte këputur.

Brescia Today shkruan se ende nuk është kuptuar se përse nuk janë aktivizuar elementët e tjerë të sigurisë, që do ta kishin ndaluar rënien e lirë nga lartësia 22 vjeçarit, një detaj i cili po ashtu është nën hetim nga autoritetet. Mjekët mbërritën në vendin e ngjarjes, por fatkeqësisht nuk kishin mundësi të bënin asgjë. Samiu kishte ndërruar jetë.

22 vjeçari jetonte me të atin në Itali dhe së fundmi ishte specializuar në punimet elektrike në lartësi të konsiderueshme, një punë e rrezikshme që i sillte të ardhura. Njeri punëtor dhe i thjeshtë, Samiu vinte nga Dibra me origjinë dhe në Itali kishte shkuar në vitin 2018 për të punuar me babanë.

Ndërkohë në atdhe jetonin ende nëna dhe vëllai, tanimë “të shkatërruar nga dhimbja” shkruan media italiane.

E ajo që e bën edhe më të tragjike vdekjen e parakoshme të të riut, ishin planet e tij për të ardhmen. Samiu së shpejti kishte vendosur të kurorëzonte në martesë fejesën e tij me një vajzë shqiptare. Samiu i kishte premtuar të fejuarës se do të martoheshin dhe se ajo mund të vinte të jetonte në Itali së bashku me të… por fatkeqësisht, ajo ditë nuk erdhi kurrë.

Në Venezia (ku banonin babë e bir), i ati i Samiut, Ilirjani, mundi të thotë veçse pak fjalë për median italiane.

“Dua të di të vërtetën për tim bir”