“Ranë në kontakt me ujin, u pushoi zemra” Dy pushues humbin jetën në plazhet e vendit

Dy pushues nga Durrësi e Tirana kanë humbur jetën këtë të premte në dy prej plazheve të frekuentuar të vendit. E sipas autoriteteve, dy burrat në moshat 68 e 52 vjeç kanë ndërruar jetë si pasojë e atakut kardiak, fill pas kontaktit me ujin.

I pari i cili humbi jetën është një burrë në moshën 68 vjeçare. Banues në Durrës, 68 vjeçari ndodhej në plazhin e Porto Romanos dhe kur ka hyrë në ujë është ndier keq.

“Rreth orës 19:20, në Porto Romano, Durrës, shtetasi H. D., 68 vjeç, banues në Durrës, sapo ka rënë në kontakt me ujin ka shfaqur probleme shëndetësore. Familjarët dhe pushuesit e tjerë e kanë ndihmuar duke i dhënë ndihmën e parë dhe mënjeherë është transportuar për në spital, por ka ndërruar jetë. Paraprakisht dyshohet arrest kardiak. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.”-njoftuan autoritet.

Pak minuta më vonë, një tjetër lajm tragjik, por kësaj herë në plazhin e Tales në Lezhë. Një 52 vjeçar banues në Kamëz të Tiranës, njëlloj ka hyrë në ujë dhe është ndier keq. Burri është dërguar në spital, por nuk ka mundur të mbijetojë.

“Në plazhin e Tales, shtetasi B.Xh, rreth 52 vjeç, banues në Kamzë Tiranë, sapo ka rënë në kontakt me ujin në anë të detit nuk është ndier mirë. Roja bregdetare dhe pushuesit e tjerë e kanë ndimuar duke i dhënë ndihmën e parë dhe mënjeherë është transportuar në Spitalin rajonal, por ka ndërruar jetë. Paraprakisht dyshohet se 52-vjeçari ka pësuar arrest kardiak. Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e saktë të humbjes së jetës së 52-vjeçarit.”-njoftuan autoritetet.