Reagime të forta ndaj trajnerit që qëlloi me shuplakë të bijën pasi humbi me serben, pezullohet për 6 muaj

Një trajner nga Kosova është filmuar teksa ka qëlluar me shuplakë të bijën e mitur e cila garonte në kampionatin e Taekwondo-së në Tiranë, një gjest që ka sjellë revoltë të madhe në opinionin publik e rrjetet sociale.

Momenti është filmuar në kamera dhe tregon çastin kur ndeshja e vajzës 8 vjeçe përfundon me fitoren e kundërshtares, një garuese me origjinë nga Serbia e quajtur Nina Saviç. Kjo e fundit fitoi garën finale, ndërsa garuesja nga Kosova mori vendin e dytë.

Trajneri Valmir Fetiu, i cili është dhe babai i të miturës, shihet teksa e qëllon me shuplakë vajzën.

Për shkak të kritikave të shumta në opinionin  publik, trajneri Valmir Fetiu reagoi për median kosovare, duke thënë se shuplaka ishte për të qetësuar të bijën e cila nisi të qajë dhe bërtasë.

“Ajo është vajza ime dhe më shumë se unë, nuk e do askush. Në momentin që vajza ishte e ç’orientuar dhe e zemëruar se humbi nga garuesja serbe, u shtri në tokë duke mos mundur me pranuar humbjen. Unë thjeshtë doja ta qetësoja dhe t’ia bëja me dije se përkundër humbjes, është nën-kampione dhe do të ketë raste tjera”, tha Fetiu.

Pikërisht për këtë gjest, trajneri me origjinë nga Suhareka është pezulluar për 6 muaj nga të gjitha aktivitetet sportive, prej Federatës Europiane të Taekwondo-së.

Fetiu më vonë ka reaguar sërish, duke konfirmuar për Radion Evropa e Lirë masën e marrë ndaj tij prej Federatës, një masë që ai e ka konsideruar të drejtë. Trajneri më tutje ka thënë se është penduar për veprimin e kryer.

“Jam penduar shumë, jam penduar me jetën time, vajza ime është gjëja më e shtrejtë për mua”, ka thënë ai.