E trishtë, por e vërtetë. Popullsia shqiptare po regjistron një rënie të lindjeve, një fenomen që shfaqet ndjeshëm përgjatë viteve të fundit. Edhe për këtë 2023, shifrat flasin ngjashëm. Po krijohen pak e më pak familje me fëmijë. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, ka një rënie prej afro 11% të numrit të lindjeve përgjatë 9 muajve të parë të vitit 2023, krahasuar kjo me periudhën e ngjashme (Janar-Shtator) të 2022-it.
Emigracioni, shtyrja e moshës së krijimit të familjes dhe pamundësia ekonomike, mbeten vetëm disa nga faktorët që e sjellin këtë fenomen.
Po sipas INSTAT, në tremujorin e tretë të këtij viti, vetëm Tirana ka shënuar rritje të numrit të lindjeve, ndërsa qarqet e tjera vijojnë të pësojnë ulje. Po në këtë tremujor të tretë, qarku Korçës ka shënuar 132 vdekje më shumë se sa lindje.
Në lidhje me numrin e vdekjeve, në tremujorin e tretë të 2023, u regjistruan në shkallë vendi 5004 jetë të humbura, ose 7.8% më pak, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Qarku me numrin të ulët të vdekjeve është Kukësi me 120 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të lartë është Tirana me 1.320 vdekje.