Reshjet e dendura të shiut dhe era e fortë kanë nisur që në orët e para të kësaj të hëne në thuajse të gjithë vendin. Si pasojë e reshjeve që vijojnë ende, janë hasur problematikat e para në lidhje me qarkullimin e automjeteve dhe ose bllokimin e disa rrugëve.
NË VLORË FRIKË NGA PËRMBYTJE TË MUNDSHME
Në Vlorë, bashkia e qytetit i është drejtuar me një apel qytetarëve, që të mos parkojnë makinat e tyre në disa zona të caktuara, kjo pasi reshjet e dendura të shiut pritet të sjellin përmbytje.
Më konkretisht, bashkia Vlorë njofton se “Gjatë ditës së sotme, e hënë, 23 dhjetor, qyteti i Vlorës është përfshirë nga reshje shiu me intensitet të lartë të cilat do të sjellin prurje të shumta ujërash.
Ju lutemi të tregoheni vigjilentë për çdo situatë dhe të respektoni thirrjet dhe këshillat e autoriteteve.
Bëni kujdes, mos parkoni automjetet në zonat me risk të lartë si:
Pranë Kishës Orthodhokse
Në “Skelë” te dykalimshi
Grupet tona të Ujësjellës Kanalizime dhe Bashkisë së Vlorës, janë në terren në monitorimin e situatës dhe në ndërhyrje sipas rastit nëse do të jetë e nevojshme.”
NË FIER PROBLEME ME ENERGJINË ELEKTRIKE
Ndërkohë në Fier, rrebeshet e shiut janë shoqëruar me erë të fortë. Shiu ka nisur që në orët e para të mëngjesit dhe vijon ende. Për pasojë, qarkullimi i automjeteve është vështirësuar. Prej reshjeve intensive, zona e Frakullës ka patur probleme me energjinë elektrike. Grupet e punës kanë shkuar në terren për të rikthyer energjinë.
PORTET
Në portet e Vlorës e Durrësit autoritetet kanë pezulluar lundrimin e varkave, peshkarexhave dhe mjeteve të vogla të lundrimit. Linjat e trageteve me Italinë fqinje kanë vijuar punën, por për shkak të kushteve të motit, ka patur vonesa të konsiderueshme, të cilat kanë filluar që prej orëve të mbrëmjes së djeshme.
NË VERI DËBORA VËSHTIRËSON QARKULLIMIN
Në veri e verilindje të vendit kanë nisur reshjet e dëborës.
Që prej mesditës, në bypass-in e Murrizit në Rrugën e Arbrit ka patur reshje bore me intensitet të lartë. Autoritetet i kanë bërë thirrje shoferëve që të pajisen me zinxhirë, pasi me kalimin e orëve dhe rënien e temperaturave, pritet që në rrugë të shtohet dhe prezenca e akullit e ngricave.
PARASHIKIMI, MOTI KEQ DO TË VIJOJË
Bazuar në raportimin e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, reshjet e shiut e dëborës do të vijojnë këtë të hënë dhe ditën e nesërme.