Reuters: Sistemi rus i mbrojtjes ajrore rrëzoi aeroplanin e Azerbajxhanit, thonë burimet

Sistemet mbrojtëse ajrore ruse rrëzuan avionin e linjës së Azerbajxhanit i cili shpërtheu në një aeroport të Kazakistanit, duke i marrë jetën 38 personave.

Kështu shkruan në një artikull të saj Reuters, i cili thotë se ka konfirmuar të dhënat përmes 4 burimeve të ndryshme që kanë njohuri mbi hetimin dhe gjetjet e kryera në vendin e ngjarjes.

Avioni u rrëzua ditën e mërkurë në aeroportin e Aktau-t në Kazakistan. Avioni me pasagjerë ishte nisur nga Azerbajxhani drejt Groznit në Rusi.

Reuters thekson se avioni është rrëzuar prej sistemeve ajrore ruse, në një kohë kur aparati luftarak rus ka qenë mjaft aktiv në atë zonë për shkak të sulmeve me dronë nga ana e Ukrainës.

Një prej burimeve, i tha Reuters se avioni është goditur nga një sistem mbrojtjeje ruse Pantsir-S dhe se sistemet e komunikimit të avionit janë paralizuar para se aeroplani t’i afrohet Groznit.

“Askush nuk po pretendon se kjo është bërë me qëllim. Gjithsesi, duke marrë në konsideratë faktet, Baku-ja pret që rusët të pranojnë se kanë qëlluar avionin nga Azerbajxhani”-tha burimi për Reuters.

Tre burime të tjera konfirmuan për Reuters se hetimi i kryer deri më tani, del në të njëjtin përfundim.

Media ndërkombëtare thotë se ka kërkuar një reagim nga autoritetet ruse, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Dronët ushtarakë ukrainas janë shënjestruar vazhdimisht në rajonet jugore të Rusisë përgjatë muajve të fundit, duke shkaktuar aktivizimin e sistemeve mbrojtëse ruse. Rusia dhe Ukraina janë në luftë që prej shkurtit 2022.

Më herët të mërkurën, Ministria ruse e Mbrojtjes kishte raportuar rrëzimin e 59 dronëve ukrainas mbi disa rajone. Disa raportohet se u qëlluan në hapësirën ajrore të mbyllur mbi rajonet në kufi me Ukrainën, duke përfshirë Detin Azov. Operacionet e fluturimit thuhet se janë pezulluar përkohësisht në aeroportin rus të Kazanit për shkak të aktivitetit.

Përveç kësaj, të dhënat e disponueshme publikisht të gjurmimit të fluturimit ADS-B tregojnë se avioni i Azerbajxhanit përjetoi bllokim GPS gjatë gjithë fluturimit të tij mbi Rusinë jugperëndimore, thuhej në alarm.

Rusia përdor pajisje të avancuara bllokuese elektronike për të ngatërruar vendndodhjen e dronëve ukrainas dhe sistemet e komunikimit dhe një numër i madh sistemesh të mbrojtjes ajrore janë vendosur për të rrëzuar dronët.