Rikthehen reshjet e dendura të shiut në të gjithë vendin, qarqet ku janë hasur përmbytje e vështirësi

Moti me reshje të dendura shiu ka përfshirë sërish të gjithë territorin e Shqipërisë, duke shkaktuar përmbytje në zona të ndryshme dhe vëshirësi në qarkullimin e automjeteve.

Në kryeqytet intensiteti i reshjeve ka shkaktuar përmbytje në disa rrugë dhe ka vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e makinave.

Në Durrës rugët pranë kryqëzimit të stadiumit  dhe pjesërisht në lagjen nr.18 u bënë të pakalueshme, ndërsa reshjet atje nisën që në orët e para të mëngjesit. Uji ka mundur të dalë në trotuare duke sjellë dhe vështirësi në qarkullimin e kalimtarëve. Autoritetet kanë pezulluar daljen e mjeteve lundruese të tonazhit të lehtë dhe anijet e peshkimit.

Në Lezhë reshjet sollën probleme me përmbytjen e disa banesave. Përroi i Zmejës në Rrëshen doli nga shtrati dhe përmbyti disa godina atje. Në rrugën Skuraj-Burrel si pasojë e prurjeve të larta të përrenjve, pati rënie të inerteve që bënë bllokimin e përkohshëm të aksit rrugor atje.

Një situatë të vështirë me reshjet pati edhe në qarkun e Vlorës, ku nivelet e ujit në rrugë arritën deri në disa centimetra. Në qytet ka patur vështirësi të konsiderueshme në qarkullimin e automjeteve dhe kalimtarëve.

Autoritetet kanë raportuar se niveli i lumenjve në të gjithë vendin është rritur, por fatmirësisht deri më tani asnjë nuk rrezikon të dalë nga shtrati.