Rrahën e plagosën me armë 22 vjeçarin  pas një sherri banal në bilardo, policia arreston 3 të rinjtë në Lezhë

Më 8 maj në Lezhë, një konflikt i çastit mes disa të rinjve në një sallë bilardoje, degjeneroi në dhunë e përdorimin e armës. Tre të rinj kanë rrahur me grushte 22 vjeçarin Aleks Laska e mandej e kanë qëlluar me plumb në këmbë. Tanimë policia ka mundur të arrestojë personat përgjegjës, tre të rinj. Konkretisht 26 vjeçarin Xhuljano Frroku, personi i cili qëlloi me armë në drejtim të të riut si dhe dy miqtë e tij, A.Sh dhe L.F.

“Procedohen penalisht edhe 2 shtetas të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtorë, ku gjatë këtij konflikti, kanë dhunuar 22-vjeçarin.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, pasi kanë identifikuar menjëherë pas ngjarjes, 3 shtetasit e përfshirë në një konflikt të çastit, me armë zjarri, të ndodhur në Lezhë, mbrëmjen e datës 08.05.2023, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, mbështetur nga inteligjenca policore, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Për këtë rast, u vu në pranga shtetasi Xh. F., 26 vjeç, banues në Lezhë, pasi më datë 08.05.2023, jashtë ambienteve të një bilardoje në Lezhë, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, dyshohet se ka plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasin A. L., 22 vjeç, banues në Rrilë.

Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë edhe për shtetasit L. F., 29 vjeç dhe A. Sh., 27 vjeç, të dy banues në Lezhë, pasi dyshohet se gjatë këtij konflikti, në bashkëpunim me të arrestuarin Xh. F., kanë dhunuar fizikisht shtetasin A. L.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.”-njoftuan autoritetet.