Rrëfimet prekëse të aktorëve shqiptarë për humbjen e Zef Dedës

“Sa shkova te dera e shtëpisë së tij, doli një infermiere dhe e pyeta se si ishte. Më tha; më vjen keq, Zefi ndërroi jetë. Është një dhimbje e madhe për ne…”

Këto ishin fjalët prekëse të Edmond Halilit, i cili ishte nisur drejt Shkodrës për të parë kolegun, ‘vëllain e madh’, siç e quante ai… fatkeqësisht, Zef Deda kishte ndërruar jetë.

Ikja e aktorit të madh të humorit, ka lënë pas dhimbje mes aktorëve shqiptarë, veçanërisht të atyre të humorit që kanë luajtur e qenë pranë mjeshtrit të madh. Zef Deda ndërroi jetë sot në moshën 73 vjeçare, ndërsa të shumta kanë qenë reagimet dhe rrëfimet e kolegëve aktorë.

Besnik Çinari: Me Zefin kam punua 50 vite të jetës

 “Lajmi për Zef Dedën na ka ardhur sikur të ndodhte në familjen tonë. Ne kemi hyrë në dekadën e 50-të që punojmë me Zef Dedën. Me një fjalë, për afro 50 vjet dhe nuk kemi shkëmbyer asnjë fjalë goje, sepse kemi punuar si shokë. Ishte një mjeshtër i vërtetë, madje në një shfaqje që është dhënë kanë bërë shoë shumë artista dhe unë kam thënë që i vetmi artist që bën për shoë në Shqipëri është Zef Deda. I ka rënë të tëra veglave, ka qene akrobat, ka qene kloun, ka pasur zë fenomenal për parodi. Ka qene shumë i madh, por i ra sëmundja. Ishte humbje e madhe për familjen në radhë të parë, për ne si Teatër Migjeni, për popullin e Shkodrës, për popullin shqiptar dhe mbarë kombëtar”, u shpreh Çinari.

Aktorja Drande Xhaj: Nuk ishte koha për të ikur, Zefi ishte i ri… e kemi dashur si pjesë të familjes

“Para dy netësh shkuam dhe ta shihnin. Me Milotin dhe Kulçin. Kemi shkuar për të, jemi interesuar për shëndetin e Zefit. Nuk e kishte kohën Zefi që të ikte tani. Ishte i ri për t’u larguar nga jeta. Na ka lënë një dhimbje të tmerrshme, por ishte Chaplini shqiptar. Është aktori fenomen. E kemi dashur si pjesë e familjes. Na mungon jo vetëm si artist, por dhe si njeri. Kam qenë partnere në skenë e Zef Dedës. Ai ka qenë i jashtëzakonshëm.”, tha aktorja e cila ka luajtur krah Dedës për dekada.

Sejfullah Myftari, “Cekja”: Nuk kam fjalë, është një humbje e madhe… njeri i shkëlqyer

“Me Zefin kam punuar. E kam pasur shok dhe mik. Është humbje e madhe për artin. Nuk kam fjalë, s’di ça të them më. Që nga vitit 73 që punoja me Zefin. Kujtuam ato që kemi luajtur bashkë. Kemi pasur hyrje-dalje. Aktor i mrekullueshëm, njeri i shkëlqyer.”, tha aktori humorit.

Osman Mula: Ishim miq të fëmijë, kemi qenë si Coli me Lolin

“E ndjeva veten keq, sepse Zefin e kam pas shokun më të ngushtë që i vogël. Kemi qenë si Coli me Lolin. Ishte një djal i mrekullueshëm, xhevahir. Njeri social, nuk donte me pa keq, donte vetëm gëzim. Isha para 3 javësh atje në Shkodër, por nuk shkova ta shoh, se nuk doja ta shihja në atë gjendje. Sa herë që shkoja atje, nuk rrija pa e takuar Zefin.”