Rrëfimi, çfarë bëri ky baba për të qetësuar të bijën kur të dy ishin nën rrënoja

Cem Okur, 43 vjeçar, ka treguar për median turke sesi u mundua të qetësojë të bijën përgjatë 101 orëve që babë e bijë qëndruan nën rrënojat e apartamentit të tyre në Hatay. Të dy ndodheshin disa metra larg njëri- tjetrit. 43 vjeçari tregoi për “TRT” që në mënyrë që të mbante në humor të bijën, ai i tregonte 8 vjeçares histori dhe mundohej të luante me të… përmes zërit.

“Ne nuk e shihnim dot njëri- tjetrin. Tanem më tha “babai çfarë do të bëjmë”. E unë i thashë të luajmë guri, letra e gërshëra. I thoja vajzës se kisha zgjedhur letër, ndërsa ajo gëzohej e më thoshte unë zgjodha gërshërën… nuk e di a më gënjente”-tha me nota humori 43 vjeçari.

Të dy babë e bijë u nxorrën nga rrënojat prej ekipeve të shpëtimit, pasi qëndruan për 101 orë nën gëmadha. Media turke i takoi babë e bijë në spitalin e Adana-s. Tashmë të dy janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Kur gazetari i pyeti sesi ia kishin bërë me ndjenjën e urisë nën rrënoja, 43 vjeçari tregoi se i kishte thënë të bijës të imagjinonte e t’i tregonte atij për ushqimet e mira që do të donte të konsumonte, fill pasi të dilnin nga rrënojat.