Duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Lotët janë zëvendësuar nga buzëqeshjet, dhimbjet i kanë lënë vendin gëzimit.




Ky vogëlush quhet Indriti. 5 vjeçari ishte prekur nga një tumor në syrin e tij të majtë. Tumori po i përhapej në kokë Indritit, i cili prej disa kohësh qëndronte në spital, në rrezik serioz për jetën.
Nëna e babai i të miturit nuk kishin kurrfarë mundësie për të përballuar kostot e larta të kurimit jashtë shtetit. E për këtë i bënë thirrje për ndihmë shqiptarëve, përmes emisionit “Për Shqiptarët”.


Brenda 48 orëve mijëra bamirës iu përgjigjën lutjeve të kësaj familje dhe Indriti vogël u nis për kurim në ‘Bambino Gesu’ të Italisë fqinje. Ditën e nisjes në aeroport, babai i Indritit thoshte se e kishte kapluar një lumturi e gëzim i madh.
Sot këtë gëzim e lumturi, e gjejmë tek sytë e Indritit të vogël, i cili aktualisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe jashtë rrezikut.