Fotot e mëposhtme i përkasin tulipanit shqiptar, një specie tulipanësh që rritet veçse në një zonë prej afro 36 hektarësh në Kukës. Së fundmi qeveria shqiptare e ka shpallur këtë zonë monument natyre pasi specie rrezikon të zhduket.
Në intervistë për Zërin e Amerikës, profesor Lulëzim Shuka tregon se ka një popullatë prej afro 300 bimësh nga kjo lule e rrezikuar, e cila rritet në zonën e Kolshit në Kukës.
“Në këtë zone, në një sipërfaqe të vogël ku ndodhet shumica e bimëve duhet të vendoset një roje. Zona mund të bëhet e vizitueshme me grupe të caktuara, por gjithmonë nën mbikëqyjen e një punonjësi të Zonave të Mbrojtura në Kukës që të ndalojë këputjen apo veprime të tjera në dëm të bimëve të tulipanit“, thotë profesori në intervistë për VOA-n.
Profesor Shuka tregoi se ka bërë disa orvatje për ta kultivuar farën e tulipanit në Kopshtin Botanik në Tiranë si dhe në zonën e Korçës, por përpjekjet kanë rezultuar të pasuksesshme.
“Popullata e kësaj bime është në zvogëlim. Për shkak të keqkuptimit por edhe përhapjes së fjalëve se kjo specie mund të kultivohet edhe në vende të tjera bën që shumë dashamirës, ndoshta edhe jo, ta shkulin dhe ta transferojnë në kopshte e tyre. Ky tulipan nuk mund të jetojë jashtë habitatit të vet në zonën e Kukësit. Është një specie shumë interesante nga pikëpamja e përshtatshmërisë në këtë mjedis. Ka ca gjedhe që në gjuhën popullore quhen si govatë dhe kjo lloj bime në këtë mjedis që rritet ka përpunuar një strategji mjaft të zgjuar mbijetese. Gjethja si govatë bën që nga shirat që bien ujin ta mbledhë dhe ta çojë përmes kërcellit drejt bulbit”, thotë profesori.
Shuka shpjegon më tutje se para disa viteve u zbulua një tjetër tulipan në zonën e Kosovës, ndërsa përgjatë 12 viteve të fundit, janë zbuluar 12 lloje të reja bimësh në Shqipëri.
“Bima ‘fshesë e Ksamilit’ (Limonium ksamilum) është lloji më i ri bimor i gjinisë Limonium endemik i zbuluar së fundi për Shqipërinë, i publikuar nga revista botërore shkencore “Phytotaxa” në korrik të vitit 2022.