Një 37 vjeçar është prangosur nga policia e Rubikut, pas një sherri që ka degjeneruar në dhunë e madje edhe në goditjen e oficerëve që shkuan të shuajnë konfliktin.
37 vjeçari me inicialet L.D ka qenë i dehur dhe është përleshur me pronarin e lokalit ku po qëndronte për motive të dobëta. Kur oficerët kanë ardhur në vendin e ngjarjes, ai i ka kundërshtuar ata me forcë si dhe ka goditur me grusht njërin prej tyre. Oficerët e kanë prangosur të riun, i cili me vete kishte dy thika.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në një lokal, në Rubik, një shtetas kishte kanosur me mjet prerës (thikë), pronarin e lokalit, kanë shkuar në këtë adresë, për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, shtetasi L. D., në gjendje të dehur, i ka kundërshtuar ata me forcë, ka goditur me grusht njërin prej tyre dhe është larguar me vrap.
Pas kontrolleve, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit L. D., 37 vjeç, banues në Rubik, Mirditë. Në momentin e kapjes, këtij shtetasi iu gjetën 2 thika, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprat penale “Kanosja”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.