“Sa ngrita dorën ai u rrëzua dhe… vdiq” Zbardhet dëshmia e Meçes, 29 vjeçarit që i mori jetën babait të dy fëmijëve

Autori i kryesor i dyshuar për vrasjen e 42 vjeçarit Egli Proga në Pogradec, thotë se nuk e ka rrahur viktimën.

Në dëshminë e tij para hetuesve, Denis Meçe ka dhënë një variant krejtësisht të ndryshëm, nga dyshimet e hetuesve për një gjobvënie të mundshme, e cila është kundërshtuar nga babai i dy fëmijëve dhe mandej ka provokuar rrahjen e vdekjen e tij tragjike.

29 vjeçari thotë se ka qenë në lokalin e viktimës dhe në një moment i kanë mbaruar cigaret

“Gjatë kohës që ishim ulur në lokal, vjen ky djali, emrin nuk ja dija. Ai na ka përshëndetur dhe ka hyrë në lokal, në një moment mua më kanë mbaruar cigaret dhe kam hyrë brenda i kam thënë pronarit të lokalit për cigare, por atje ky djali më ka thënë: ja se ta dredh një unë dhe unë për respekt ja mora. Sa kam kthyer kurrizin ky më shau.”-pretendon 29 vjeçari i akuzuar për vrasje.

Më tutje Meçe thotë se ka kërkuar ta frikësojë babain e dy fëmijëve, që sipas tij ishte njëlloj i dehur si ai. Meçe i ka thënë Progës të dalin jashtë, ndërsa më tutje ai ka dhënë një variant, që në të paktën mund të quhet i çuditshëm.

“Unë i kam thënë po hajde pak jashtë të flasim, ai më shau sërish dhe kemi dalë jashtë. Unë kam dashur t’i fus një shpullë ta qetësoja por, sa i jam afruar kam ngritur dorën ai është rrëzuar në tokë dhe nuk u ngrit më. Mua nuk më është besuar hiç dhe pasi jam frikësuar nga situata jam larguar. Dua të them se unë kisha gjithë ditën që konsumoja alkool dhe me sa pashë edhe ai ishte i dehur”.-ka thënë para hetuesve 29 vjeçari.