Sakrifica e një nëne… shpëtoi nga flakët 6 fëmijët e saj, vetë pësoi djegie në 93% të trupit

Gjëja më e keqe që mund t’i ndodhte, u përjetua nga kjo nënë në shtator të vitit 2019. Në atë kohë Emma Schols, 31 vjeçare dhe nënë e 6 fëmijëve, ishte e vetme në shtëpi me vogëlushët e saj.

Kur ajo u zgjua, e gjithë shtëpia e saj ishte në flakë… e përpara kjo nënë kishte dilemën, si do të mund të shpëtonte 6 fëmijët e saj nga zjarri.

Dy prej fëmijëve të saj (djem) po flinin në katin e parë të vilës dhe ishin shqetësimi i saj primar.

“Vrapova drejt tyre, sepse ata ishin poshtë. Djemtë ishin fshehur në vendin ku ishin lodrat. U hodha drejt tyre dhe I mbulova me trupin tim. I gjithë kurrizi im ishte në flakë. Që ata të mos hynin dot në shtëpi, I hodha jashtë dhe mbylla derën kryesore… ata ishin të tmerruar”-tregon nëna.

E tanimë që kishte shpëtuar dy djemtë, mbeteshin për t’u larguar nga flakët 4 vogëlushët e saj të tjerë, në katin e mësipërm të shtëpisë private. Nëna nis të bërtasë që fëmijët të dilnin në ballkon. Vajza 9 vjeçare e Emës, Neli, kishte mundur të hidhej nga lartësia e kishte vrapuar drejt komshiut për ndihmë. Djali Uilliam, 11 vjeçar në atë kohë, kishte gjetur një shkallë dhe po tentonte ta zbriste në tokë, për t’u larguar nga ballkoni.

“Shkallët për në katin e dytë morën flakë plotësisht. Mendoja me veten , kjo nuk është e mundur, por me çdo shkallë që ngjisja, mendoja se kisha 4 fëmijët e mi që duheshin shpëtuar. Shputat e këmbëve mu dogjën plotësisht…kur u ngjita lart dhe arrita tek ballkoni, djali im u tmerrua. Në trup kisha djegie kudo dhe po më dilte gjak. Flokët e mi dukeshin si copa qymyri ndërsa lëkura në disa vende më kishte ikur.”-kujton nëna.

E pasi tre fëmijët e saj mundën të dalin përmes shkallëve që kishte vendosur 11 vjeçari, Emma nisi të kërkojë për vajzën e saj më të vogël, 1 vjeçaren Moli. Ajo nuk ndodhej në ballkon. Nëna bëhet gati të hyjë sërish në dhomën e gjumit të zhytur në flakë e tym. Dy djemtë e saj tentuan ta tërheqin, por gruaja gjeti forca dhe hyri sërish.

Ema arrin të shohë të bijën, e cila po qante.

“Unë kisha veçse trupin tim, asnjë mburojë tjetër… trupin tim dhe zemrën e një nëne”-kujton gruaja.

E pasi mori të bijën, gruaja zbriti nga shkallët që kishte vendosur 11 vjeçari e mandej ra në tokë.

“Papritur dhimbja nisi të më përfshijë në të gjithë trupin. Kisha shumë dhimbje dhe po mendoja se tani do të humb ndjenjat…”

Me fijet e fundit të ndërgjegjes, nëna i thotë djalit më të madh, 11 vjeçarit Uilliam, që të kujdeset për dy motrat e 3 vëllezërit.

Kur gruaja mbërriti në spital, 93% e trupit të saj ishte djegur. Për tre javë me radhë, gruaja qëndroi gjallë falë respiratorëve dhe mes jetës e vdekjes.

“Kur u zgjova e para gjë që më shkoi ndërmed ishte “a janë fëmijët gjallë… ishte një mrekulli, por edhe një sprovë e madhe. Vajza ime vogël, nuk më njohu. Kjo ishte pjesa më e vështirë për mua. Vajza nuk dëshironte të vinte, kishte frikë nga aparaturat në spital… unë i dukesha krejt ndryshe.”-kujton Ema.

Pas afro 1 muaji në repartin e kujdesit intensiv, nëna e 6 fëmijëve u shtrua në spital. Kaluan muajt dhe ajo u rikuperua plotësisht… edhe pse në trup mban ende shenjat e sakrificës së saj të jashtëzakonshme.

“Tani fëmijët më njohin sërish… trupi im është i mbushur në shenja të djegurash dhe ajo eksperiencë ka patur impakt të plotë në të gjithë familjen tonë. Gjithsesi, eksperienca na ka forcuar marëdhëniet. Sot, jam falenderuese çdo ditë, që jam bashkuar me familjen time dhe asgjë nuk e marr për të mirëqenë”-përfundoi nëna.

Intervista e Emma Schols, u dha për gazetën suedeze Aftonbladet.