Sapo ishte kthyer në atdhe, e qëlluan 100 metër larg shtëpisë së familjes… detajet e vrasjes së 41 vjeçarit në Fier

Ishte afro 100 metër larg shtëpisë në momentin kur u qëllua me një plumb pas qafës. Pavarësisht transportimit të shpejtë në urgjencë, nuk ia doli. Ky ishte fundi tragjik i një 41 vjeçari të quajtur Elton Javori, i cili ndërroi jetë mesditën e të enjtes në Fier. I riu kishte afro 3 muaj që ishte kthyer nga Gjermania dhe nga ajo që ka rezultuar deri më tani, nuk ka asnjë precedent penal.

“E njoh pasi është rritur me ne. Ky djali ka qenë i mrekullueshëm, i edukuar. Nga i erdhi, Zoti e di. Nuk dëgjova krisma armësh. Sa dola nga shtëpia, dëgjova që u vra. Ky ka familjen këtu. Vëllezërit i ka në Gjermani. Djalë i shoqëruar”.-tregoi një prej fqinjëve të të ndjerit.

Policia e ka identifikuar autorin e dyshuar që quhet Agim Gashi, 35 vjeçar dhe banues në Fier. Ky i fundit është filmuar nga disa kamera sigurie, teksa vrasjen e ka kryer nga makina e mandej është larguar me shpejtësi.

Hetuesit po ndjekin një sërë pistash. Rezulton se autori e viktima kishin njohje e afro një javë më parë kanë debatuar për një çështje për motive të dobëta. Gjithsesi mbetet ende herët për të kuptuar dinamikën e motivin e vërtetë të këtij krimi.

“Rreth orës 11:00, në lagjen “16 prilli”, është vrarë me armë zjarri shtetasi Elton Javori, 41 vjeç, banues në Fier. Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë identifikuar autorin dhe po punojnë për kapjen e tij. Janë ngritur pika kontrolli në çdo aks rrugor, si dhe vijon intensivisht krehja e zonës. Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorit“, tha policia në një informacion parapra për mediat.