Sapo kishte marrë turnin, 28 vjeçari humb jetën në vendin e punës në Tiranë

Një ngjarje tragjike ndodhi këtë mëngjes në Tiranë, ku një tjetër punëtor në moshë të re ka humbur jetën në vendin e punës.

28 vjeçari Adrian Fejzullahi nuk kishte shumë që kishte marrë turnin dhe po ngjiste në katin e 7-të të godinës në ndërtim disa kova me llaç. I riu ka rënë aksidentalisht nga lartësia e madhe dhe si pasojë e plagëve ka humbur jetën.

Ngjarja ndodhi në një godinë në ndërtim në rrugën “Aleksandër Mojsiu” në kryeqytet. Godina në fjalë nuk rezulton të ketë skela apo mbrojtëse.

Më datë 27.05.2024, rreth orës 08:20, në rrugën “Aleksandër Mojsiu”, në një pallat në ndërtim e sipër, duke punuar ka rënë nga lartësia shtetasi A. F., 28 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën.“-njoftuan paraprakisht autoritetet.

Policia ndërkohë ka shofëruar drejtuesin teknik të punimeve si dhe ka nisur hetimet mbi ngjarjen.

Kujtojmë se këtë muaj kanë humbur jetën disa punëtorë, shumica prej tyre në moshë të re.

Më datë 9 maj humbi jetën tragjikisht Emiliano Frroku, një 28 vjeçar që ra nga kati i nëntë i godinës ku punonte. I riu po montonte vinçin kur mjeti u këput dhe mori poshtë dhe të riun. Emiliano punonte në të zezë ndërsa dy katet e fundit të pallatit bëheshin pa leje.

Më datë 21 maj humbi jetën Preng Gjoni, një tjetër punëtor ndërtimi që punonte në një godinë në Kune të Shëngjinit. 50 vjeçarit i ra në kokë një dërrasë që u shkëput nga lartësia.

Më 21 maj humbi jetën në një prej galerive të Martaneshit një minatori i quajtur Armond Peshku. 29 vjeçari punonte si vagonist me kolegun e tij në momentin kur një masiv e zuri poshtë. I riu ndërroi jetë, ndërsa kolegu i tij 40 vjeçar mbeti i plagosur, por mundi t’i shpëtojë vdekjes.

Më 22 maj Jurgen Veshi sapo kishte nisur punën në një gurore. 24 vjeçari po punonte me skrep në Brataj të Selenicës kur një masiv guri u shkëput dhe e zuri poshtë. I riu ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.