Sarandë: 17 vjeçari pa patentë përplas për vdekje dy turistë italiane, pezullohet shefi rrugores

Një aksident tragjik ndodhi mëngjesin e kësaj të enjte në Sarandë, atje ku humbën jetën dy turistë me origjinë nga Italia. Gritto Domenico dhe Vicenzo Tizziano po udhëtonin me motor në zonën e njour si ‘Hidrovori’ në Sarandë, kur janë pëplasur nga një automjet ‘Mercedes Benz’, i cili po drejtohej nga një 17 vjeçar shqiptar (pa patentë).

Dy italianët kanë humbur jetën, ndërsa shoferi i mitur së bashku me një tjetër 16 vjeçar (pasagjer) u dërguan në spital për ndihmë mjekësore.

“Në kuadër të aksidentit të ndodhur në aksin rrugor “Sarandë –Ksamil”, ku si pasojë kanë humbur jetën Gritto Domenico 24 vjeç dhe Vicenzo Tizziano 32 vjeç, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm, me specialistë nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti për Sigurinë Publike (Drejtoria e Policisë Rrugore) në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të analizuar rastin, për të nxjerrë përgjegjësitë në lidhje me shkakun e ndodhjes së këtij aksidenti, si dhe për menaxhimin në tërësi të qarkullimit rrugor në territorin e bashkisë Sarandë.

Gjithashtu në lidhje me këtë  është pezulluar menjëherë nga detyra Shefi i Seksionit të Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Sarandë,. Pezullimi i tij u bë në zbatim të nenit 209, të Rregullores së Policisë së Shtetit, për shkelje të rëndë të atributeve/kompetencave të Policisë, në lidhje me pasojat e aksidentit të ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në aksin rrugor “Sarandë –Ksamil”, ku humbën jetën 2 turistë italianë.

Gjithashtu, ka nisur menjëherë hetimi administrativo-disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, për mospërmbushje të procedurave standarde të punës, në lidhje me marrjen e masave për parandalimin e aksidenteve rrugore, gjatë sezonit turistik.

Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht, 24/7, në të gjithë territorin e vendit, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, si dhe për të parandaluar aksidentet rrugore. Në këtë kuadër fton qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe çdo paligjshmëri në tërësi, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe profesional”-njoftuan autoritetet.