Sarandë: Vodhi 6000 euro në hotelin në Ksamil, arrestohet hajduti serial

Policia e Sarandës ka identifikuar dhe arrestuar një 38 vjeçar i cili kërkohej për disa vjedhje në qytete të ndryshme të vendit.

Në pranga ka rënë Arif Mance, banues në Tiranë, i cili vjedhjen e fundit e ka kryer në një hotel në qendër të Ksamilit. Kamerat e sigurisë kanë filmuar momentin kur 38 vjeçari vjedh një shumë prej 6 mijë eurosh në hotel.

Mance rezulton person me precedentë të theksuar kriminalë, i arrestuar dhe dënuar disa herë për vjedhje në Tiranë, Laç dhe qytete të tjera të Shqipërisë.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas një pune intensive hetimore dhe nga këqyrja e kamerave të sigurisë, për zbardhjen e vjedhjeve, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Serial Thief”, si rezultat i të cilit u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit: A. M., 38 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimet rezultoi se ky shtetas, më 04.01.2025, në lagjen nr. 2, Ksamil, në ambientet e një hoteli, ka vjedhur një çantë me 6000 euro, ndërsa në lagjen nr. 4, Sarandë, ka tentuar të vjedhë sende nga një automjet i markës “Audi Q5”, duke thyer xhamin e derës së drejtuesit të automjetit.

Nga veprimet hetimore të mëtejshme, rezultoi se shtetasi A. M. ishte shpallur në kërkim për katër vjedhje të tjera, konkretisht:

Më datë 13.12.2024, në Durrës, dyshohet se ka tentuar të vjedhë në një banesë, si dhe ka vjedhur një celular;

Më 08.12.2024, në Tiranë, dyshohet se ka vjedhur në një banesë dhe në një kioskë.

Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprën penale “Vjedhja”.