Tashmë Diana është e gëzuar, pasi ndodhet pranë të birit pak javësh. Por jo të pakta ishin vuajtjet për nënën 25 vjeçe, e cila u dënua me burgim për një gjobë që iu konvertua në 1 muaj e disa ditë burgim.
Diana ka folur këtë të shtunë për median, duke sqaruar se nuk kishte qenë në dijeni se gjoba e vënë në emër të saj, ishte kthyer në kohë burgimi.
“Për mua ishte shumë e vështirë nuk e përballoja dot. Me zor kam ndenjur duke qarë ditë e natë. Nuk donin t’ia dinin që sapo kisha lindur, kur me arrestuan. Djalin e gjeta shumë mirë. Ishte kujdesur burri dhe vjehrra. Kam pasur dhimbje trupi. Infermieret u kujdesën për mua aty. Më thanë që je e dënuar 1 muaj e 10 ditë, ata të Tiranës më thanë 1 muaj e 20 ditë. Kam ndejtur nja 3 orë në Shkodër dhe më thanë që do vij policia e Tiranës të të marrë.
Unë nuk kam qenë në djeni fare, as për gjobën, as për dënimin, thjesht ka ardhur ai zotëria këtu te shtëpia dhe më ka marrë.
Në burg kam ndejtur vetëm, nuk jam bashkuar me gratë e tjera. Kanë qenë momente shumë të vështira”, u shpreh nëna për mediat.
Diana Bahçja u arrestua nga policia e Shkodrës më 7 mars, pasi në gjykatën e Tiranës ishte vendosur një gjobë (2.5 milionë lekë të vjetra) për akuzën e braktisjes së fëmijës (dhënë më vitin 2020). Bahçja kishte qenë e martuar më parë dhe ka një vajzë me ish bashkëshortin. E ndarë prej tij, ky i fundit e kishte akuzuar për braktisjen e fëmijës. Bashkëshorti aktual i Dianës, i cili e bëri publike ngjarjen, tha pak ditë më parë se ish i shoqi i 25 vjeçares e kishte dëbuar nga banesa Dianën dhe se ajo ishte gjobitur e dënuar padrejtësisht.
Pak ditë pas arrestimit dhe tërheqjes së vëmendjes mediatike, nëna mundi të lirohet nga gjykata (dje,17 mars), me argumentin se duhet të kujdeset për fosnjen e saj. Gjykata vendosi të pezullojë vendimin (për burgimin) duke e liruar gruan, ndërsa verdikti i dhënë për gjobën, do të merret sërish në shqyrtim më 14 prill.