Pak ditë më parë një video shqetësuese dhe me pamje të rënda dhune, është publikuar në rrjetet sociale, video e cila ka shokuar opinionin publik shqiptar.
Në pamje, tregohet sesi një fëmijë 12 vjeçar rrihet barbarisht me shkelma e grushte në fytyrë, nga një tjetër fëmijë, shok i klasës i viktimës



Pavarësisht publikimit të videos e njohjes së identitetit të autorit, policia dhe autoritetet përgjegjëse duket se nuk kanë marrë asnjë masë mbi 12 vjeçarin e dhunshëm.
Video e shpërndarë dhe publikuar gjerësisht nëpër media, ka pas një histori me të vërtetë të dhimbshme që vjen nga Shtimja e Kosovës, atje ku banon 12 vjeçari i dhunuar dhe dhunuesi, po 12 vjeçar. Ky i fundit, një i i mitur dukshëm me sjellje problematike, nuk e ka për herë të parë dhunimin e të miturit tjetër.
Media kosovare Nacionale shkoi në familjen e të miturit të dhunuar, atje ku intervistoi 12 vjeçarin dhe nënës e tij.
Mes lotëve dhe me trupin që i dridhet, i mituri i dhunuar tregon se ai nuk i ka bërë asgjë shokut të klasës dhe se disa herë ka rënë pre e dhunës, bullizimit, vjedhjes e plot akteve të tjera. I mituri tregon se shoku i klasës i ka futur kokën në koshin e plehrave, i ka marrë paratë që i kanë dhënë prindërit për ushqim në shkollë e plot veprime tjera të dënueshme.
“Më kanë kapë më kanë shti në kantë të bërllokut. Nuk e di, jam kanë tuj ardhë te shpia, më kapën, pse ke sha andej këndej, më kapën tani.. (Familja) e ka pa në tiktok videon. Nuk i ka një muaj që ka ndodhë. Më kapën qaty, më rrehën, bonen video. Unë send nuk kesh tuj thanë, më thanë pse m’ke therrë. Thash kush t’ka therrë more? Po (në polici kam shku). Më kanë thënë mos me nejtë me të, por s’po kam çare pa shku, vijnë me m’marrë me kerr, s’di çka bëjnë ata në kerr, po unë nuk e kam marrë se jam tutë, kam zhdrypë prej kerrit”, rrëfen 12 vjeçari për Nacionalen.

Nëna e të miturit, thotë se djalin ia ka rrahur e bullizuar prej vitesh shoku i klasës. Ajo po ashtu mes lotëve tregon se është përpjekur ta dërgojë çështjen në polici, por këta të fundit nuk kanë ndërhyrë me argumentin se bëhej fjalë për ‘shaka fëmijësh’. Nëna thotë po ashtu se ka komunikuar me prindërit e të miturit që i dhunon të birin, por edhe këta të fundit nuk kanë bërë kurrfarë gjëje.
“Prej klasës së parë deri në të gjashtën, djali më ka pasë gjithë problem, gjithë ma ka ngucë ai nxënës. Jemi anku në Polici, më kanë thënë policia fëmijë është”, tha ajo në një prononcim për Nacionalen.
Edhe mësuesja kujdestare thotë se situata është shqetësuese.
“Po, është i paraqitur si rast problematik edhe në drejtorinë e shkollës, edhe në polici edhe në Qendrën për Punë sociale. Është nxënës problematik, rastet janë të hapura në polici, por në njëfarë forme po obligohemi ose po mundohemi me mbajtë në shkollë.
Nëse sot i them (të miturit të dhunshëm), mos bëj më kështu, ai prapë e përsëritë pas pesë minutash”, -tha kujdestarja e klasës.
Në qendrën për Punës Sociale, autoritetet atje thanë se janë në dijeni të rastit dhe kanë tentuar të dërgojnë tek psikologu 12 vjeçarin që ka dhunuar shokun e tij të klasës.
“Po për rasitn jemi njoftu frik tash, policia na i ka dërgu incizimet dhe i kemi thirrë akterët cka na e ka marrë mendja q ëjanë në rast. E kemi intervistu familjen. Fëmija është i mitur, s’un merret policia me të, kemi vendosë me e dërgu te psikologu në Prishtinë, Me sa e kemi pa na (S.,) ka nevojë për trajtim edhe nëna e tij. Ata nuk po e pranojnë por…na e kemi pa që kanë nevojë të dytë për psikologun”, thotë Adem Ramadani, drejtues i qendrës për punë sociale në Shtime.
Nëna e të miturit problematik po ashtu është pyetur për rastin e të birit.
“Problematik është ngapak, por fëmijë është, përmirësohet. Po e dimë e ka rrehë, në shkollë a në rrugë një djalë ashkali, çka me bë tash na s’un i mbysim fëmijët. Gabime bën, po çka me i bë, jam e shqetësume po çka me bë”.
Media në Kosovë i është drejtuar me një kërkesë për informacion dhe policisë, e cila ka dhënë këtë përgjigje.
“Më 16.02. 2025, Stacioni Policor në Shtime, ka siguruar një video të publikuar në rrjete sociale, ku paraqitet një incident mes dy personave të mitur, të dy meshkuj nën moshën 14 vjeç. Njësia e Hetimeve, përkatësisht sektori për trajtimin e incidenteve me të mitur, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe ka njoftuar Prokurorin e Shtetit për të mitur. Njëkohësisht, është mbajtur një takim urgjent me përfaqësuesit e Qendrës për Punë Sociale dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit, me qëllim trajtimin e këtij rasti. Të gjitha veprimet policore të ndërmarra lidhur me këtë rast, janë raportuar te Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të regjistrohet përmes një shënimi zyrtar. Dokumentacioni i plotë i lëndës i është dorëzuar Qendrës për Punë Sociale për veprime të mëetjshme. Zyra e Informimit, Ferizaj”.