Selanik, goditi të shoqen pse qante fëmija… gruaja e shfajëson 34 vjeçarin shqiptar: ishte një ditë e keqe

Një 34 vjeçar me origjinë shqiptare është dënuar me 12 muaj burg nga gjykata e Selanikut, nën akuzën e dhunës fizike ndaj të shoqes… shkak për dhunën është bërë fakti se gruaja (po me origjinë shqiptare) ka shkuar në tualet dhe fëmija ka nisur të qajë. Lotët e fëmijës e kanë irrituar mesa duket 34 vjeçarin, i cili ‘inatin’ ia ka nxjerrë të shoqes.

Protothema shkruan se nga ajo që është bërë e ditur në gjyq, 34 vjeçari kishte ardhur në shtëpi pas punës e kishte patur një debat me të shoqen. Në një moment të dytë, gruaja 30 vjeçe shkon në tualet, ndërsa fëmija më i vogël i çiftit (4 muajsh) nis të qajë. 34 vjeçari nuk ka mundur të ndalojë të qarat e fëmijës dhe është nevrikosur se përse e shoqja ka vonuar.

Gruaja tregoi në dëshminë e saj se kjo ishte hera e parë në 5 vite martesë, që i shoqi kishte ushtruar dhunë ndaj saj. Me të dalë nga tualeti, gruaja është qëlluar në fytyrë dhe më pas me shkelma në kurriz. Por pavarësisht këtij rasti të dhunës, gruaja e ka shfajësuar të shoqin, duke thënë se kjo mund të ndodhë në çdo familje dhe se i shoqi i kishte kërkuar falje.

“Im shoq erdhi nga puna dhe po debatonim për fëmijët tanë. Unë u nervozova, ai po ashtu dhe ndodhi ajo që ndodhi. Më qëlloi në fytyrë dhe kurriz. Ishte hera e parë që diçka e tillë ndodhte, e nuk besoj se do të ndodhë më, pasi ai më kërkoi falje. Kemi 5 vite e gjysëm martesë dhe unë e besoj kur thotë se kurrë nuk do të bëjë gjë të tillë, pasi ai më do mua dhe fëmijët… ishte një ditë e keqe”tha gruaja në gjyq.

“U nervozova kur gruaja shkoi në tualet dhe kyçi derën. Djali vogël nisi të qajë e s’munda të bëj dot gjë. Po i bërtisja se fëmija po qante, por ajo nuk dilte nga tualeti. E humba toruan. Pashë fëmijën duke qarë dhe i humba nervat. E shyta dhe e tërhoqa si dhe e qëllova me shkelm”-tregoi 34 vjeçari përpara gjykatës, duke mohuar ta ketë qëlluar të shoqen në fytyrë.

Por në fakt sipas raportit mjekësor, rezulton e kundërta. Gruaja u paraqit në spital me shenja në fytyrë dhe krahë.