Serbët sulmojnë ekipet e xhirimit në Leposaviq: Një reporteri i thyhet krahu, një gazetare qëllohet me gurë në kokë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të premte në Leposaviq, atje ku disa serbë të maskuar kanë ushtruar dhunë në drejtim të ekipeve të xhirimit të Kosovës. Lëndime kanë marrë gazetarë e kameramanë,9 në total, mbi të cilët është qëlluar me gurë e me shkelma e grushte.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se gazetarit të DTV-së Pleurat Salihut, i është thyer krahu.

AGK-ja ka publikuar dhe pamjet e rënda të sulmit fizik ndaj kameramanit të RTK-së Bardh Bekteshi.

“Përveç sulmit fizik, Bekteshit i është thyer edhe kamera e xhirimit”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

Gazetarja e RTV Dukagjinit, Dorentina Thaqi po ashtu rezulton të jetë qëlluar me gurë në kokë.

Gazetarja Venera Xhoxhaj ka rrëfyer se protestuesit serbë të cilët më herët tentuan të hyjnë në godinën komunale në Leposaviq, i kanë gjuajtur me gurë ekipeve të medias që kishin mbërritur në vendin e ngjarjes.

“Na kanë gjuajtur me gurë, disa kolegë derisa kanë qenë duke u larguar, janë rrëzuar, dhe kameramanit tonë, Bardh Bekteshi, e kanë shtyrë duke e rrëzuar pastaj edhe sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe trup””, ka thënë Xhoxhaj për AGK-në.

Njoftimi i policisë së Kosovës

Sot me datën 16 qershor 2023, pranë komunës së Leposaviqit nga persona të dyshuar është sulmuar me mjete të ndryshme (ngjyrë), automjeti zyrtar i cili ishte në shoqërim të ministrit të Ministrisë për Administrim të Pushtetit Lokal të RKS-së, i cili ishte në dalje nga komuna e Leposaviqit pasi i njëjti ka qenë me detyrë zyrtare në komunë.

Po ashtu në afërsi të komunës së Leposaviqit nga individ/grupe kriminale është hedhur një mjet, dyshohet shok bombë, si dhe janë sulmuar fizikisht në mënyrë brutale disa gazetarë të mediumeve të ndryshme të Kosovës. Bazuar në informacionet e deritanishme bëhet fjalë për nëntë gazetarë të sulmuar të cilët kanë qenë me detyrë zyrtare duke përcjellë zhvillimet pranë komunës së Leposaviqit, ku disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor.

Përveç sulmeve fizike dhe dhunës së ushtruar ndaj gazetarëve, atyre iu janë dëmtuar pajisje të ndryshme të xhirimeve, ku njërit prej tyre iu është grabitur kamera zyrtare e mediumit, përderisa tjetrit iu është grabitur një telefon celular.

Pengimi i gazetarëve në kryerje të detyrës, cenimi i shprehjes së lirë, pengimi i pasqyrimit të situatës reale, sulmet e dhuna fizike, si dhe dëmtimi i automjeteve dhe i pajisjeve zyrtare janë veprime kriminale të cilat do të hetohen nga Policia e Kosovës. Në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, janë iniciuar rastet sulm ndaj personave zyrtar, asgjësim apo dëmtim i pronës dhe lëndim trupor.