Një tjetër ngjarje, ndërsa sërish protagonistë janë djem të mitur. Policia ka arrestuar në Kamëz një 15 vjeçar i cili ka kanosur me armë zjarri një tjetër të mitur, një 16 vjeçar. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në Valias të rri, rreth orëve të pasdites. Arma që kishte i mituri është sekuestruar, e së bashku me të dhe një karikator i mbushur.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, pas informacionit të marrë se në Valias, një 15-vjeçar kishte kanosur me armë zjarri, një 16-vjeçar, menjëherë kanë organizuar punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, dokumentimin e plotë ligjor të saj dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Gun”.
Gjatë operacionit u arrestua një shtetas 15-vjeç, pasi dyshohet se ditën e djeshme, rreth orës 19:00, në Valias të Ri, ka kanosur me armë zjarri një shtetas 16 vjeç. Arma e zjarrit tip pistoletë, së bashku me krehrin dhe municionin luftarak, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë”, njofton policia.
Kujtojmë se javën e kaluar një adoleshent 17 vjeçar qëlloi me thikë 4 herë mbi një tjetër bashkëmoshatar, pas një debati për foto në rrjetin social ‘snapchat’. Po javën e kaluar, një tjetër adoleshent i mitur u kap me një armë dhe afro 100 fishekë. Ndërsa disa javë më parë, si pasojë e një sherri për motive banale, jeta e një 14 vjeçari u pre në mes. Martini u godit me thikë në pjesën e kraharorit nga një tjetër 14 vjeçar, pak metra larg shkollës 9 vjeçare “Fan Noli” në kryeqytet.