Sërish në veri… shikoni çfarë ka gjetur policia e Kosovës në Leposaviq

Policia e Kosovës ka gjetur dhjetëra uniforma të policisë së rregullt dhe asaj speciale serbe, në një fshat të komunës së Leposaviqit në veri të vendit.

Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla tha se kjo është një tjetër dëshmi që tregon se kush është përgjegjësi për tentativat për destabilizimin e veriut të vendit.

“Mekanizmi terrorist i Serbisë në veri të Republikës së Kosovës po çmontohet çdo ditë e më shumë. Pas informatave inteligjente, në një shtëpi në fshatin Isev i Poshtëm në Komunën e Leposaviqit u gjetën dhjetëra uniforma të policisë se rregullt dhe asaj speciale serbe si dhe pjesë të uniformave të Policisë së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës se mekanizmat e sigurisë së Serbisë ishin dhe mbeten përgjegjësi i tentativës për destabilizim dhe aneksim të veriut të vendit tonë.”-shkroi Sveçla.

Gjetja e uniformave serbe vjen veçse disa ditë pas sekuestrimit të një sërë armatimesh të gjetura po në veriun e Vendit.

Armatime që besohej se i përkisnin grupit që më 24 shtator të vitit të kaluar tentuan të kryejnë një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, atje ku i vdekur mbeti një rreshter i policisë së Kosovës.