“S’flas dot, jam në ankth” Fier: 17 vjeçari lihet në burg, goditi me thikë moshatarin në shkollë

Adoleshenti 17 vjeçar që plagosi me thikë javën e kaluar shokun e gjimnazit në Cakran të Fierit, është paraqitur i prangosur këtë të hënë në gjykatë.

Ai u njoh me masën e sigurisë “arrest me burg” nga trupa gjykuese, për akuzën e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë.

Adoleshenti nuk ka folur gjatë seancës, duke thënë se nuk është në gjendje.

“Nuk jam në gjendje që të flas, jam në ankth”,- ka thenë ai shkurtimisht.

Kujtojmë se mëngjesin e të premtes, 17 vjeçari goditi 4 herë me thikë shokun e gjimnazit, pas një debate në lidhje me disa foto në rrjetin social ‘snapchat’. Fatmirësisht i plagosuri nuk rrezikon jetën, ndërsa plaga që mori është një e vetme në pjesën e krahut.

Sipas dëshmisë që dha në media i plagosuri, konflikti ka nisur një muaj më parë për shkak të disa fotove në rrjetet sociale.

Familjarët e autorit të dyshuar nga ana tjetër, kanë pranuar se 17 vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor. Gjyshja e tij rrëfeu për median se i nipi mjekohej me barna që në moshë të vogël dhe se së fundmi, ilaçet nuk po i pinte.