SHBA: Nëna dënohet me burg pasi dështoi të parandalonte vrasjet shumëfishe të djalit 15 vjeçar

Gjykata në shtetin e Miçiganit ka dënuar për herë të parë me burgim, nënën e një të riu i cili kreu vrasje të shumëfishta në shkollën e tij, ngjarje e cila ndodhi në nëntor të vitit 2021 në një gjimnaz të vendit.

Gjykata shpalli të fajshme për akuzën e vrasjes së pavullnetshme 45 vjeçaren Jennifer Crumbley, nëna e   Ethan Crumbley, i cili në kohën e vrasjeve të shumëfishta në shkollë, ishte 15 vjeçar.

Një tjetër gjyq po zhvillohet për kryefamiljarin, James Crumbley. Burrë e grua deklaruan se janë të pafajshëm, por gjykata ka vendosur se prindërit kanë lehtësuar rrethanat e ngjarjes dhe se nuk kanë tentuar të parandalojnë tragjedinë.

Siç u zbulua gjatë seancave gjyqësore, arma që 15 vjeçari përdori për të vrarë 4 persona dhe plagosur dhjetëra të tjerë, ishte blerë nga prindërit e tij vetëm disa ditë para se të ndodhte tragjedia. Prokurorët sollën prova se vrasësi 15 vjeçar kishte shfaqur shenja të përkeqësimit të shëndetit mendor e se madje i kishte kërkuar prindërve ndihmë pasi shihte haluçinacione. Nga ana e tyre prindërit nuk e kishin dërguar të riun për vizita. Nëna 45 vjeçare tha se ajo nuk mendonte se i biri kishte probleme të shëndetit mendor.

Ditën kur 15 vjeçari kreu vrasjet, mësuesit i kishin thirrur prindërit e të miturit për shkak të një vizatimi shqetësues që Ethan kishte bërë. Prindërit e të miturit nuk kishin shkuar në mbledhje si dhe kishin refuzuar të merrnin në shtëpi djalin. Zyrtarët në shkollë kishin rikthyer në klasë 15 vjeçarin, pa e vënë re se në çantë i mituri kishte me vete armën me të cilën do të kryente 4 vrasje. Disa orë më vonë, 15 vjeçari vrau 4 nxënës, Hanën 14 vjeçe, Myre 16 vjeçar, Madisyn dhe Justin të dy 17 vjeçarë.

Verdikti i gjykatës veçse, ka sjellë mjaft reagime pasi opinioni është i ndarë. A janë përgjegjës para drejtësisë dhe në kuptim të ligjit këta prindër?

Stephen J Morse, profesor i drejtësisë dhe psikiatrisë në Universitetin e Pensilvanisë, thotë se është kundër verdiktit, duke argumentuar se i vetmi përgjegjës është personi që ka kryer vrasjes.

“E kuptoj se 45 vjeçarja nuk ka qenë nëna më e mirë në botë, por ky nuk është krim”-tha profesori i cili i frikësohet idesë se një vendim i tillë do të sjellë precedentë të dëmshëm në të drejtën penale.

Disa të tjerë mendojnë se rasti në fjalë ka qenë aq i pazakontë, saqë nuk ka gjasa që të krijojë argument për precedente të tjera.

“Nuk i frikësohem idesë se kjo do të hapë dyert për të akuzuar çdo prind. Faktet e këtij rasti janë unike dhe ekstreme”-tha Frank Vandervort, profesof klinik i ligjit në Universitetin e Miçiganit.