Shëngjin: 3 milje larg bregut me pedalonë, shpëtohen 2 të rinjtë

Dy të rinj janë shpëtuar nga policia kufitare pasi kanë lundruar jashtë kontrollit mbi 3 milje larg bregut të Shëngjinit. Të rinjtë kishin marrë nga një pedalon secili, por për shkak të erës së fortë ishin larguar shumë nga bregu dhe nuk mundeshin të ktheheshin.

“Pas marrjes së njoftimit se 2 shtetas që po lundronin me pedalone, në plazhin e Shëngjinit, ishin në rrezik sepse për shkak të erës së fortë kishin humbur kontrollin mbi mjetet lundruese dhe ishin larguar shumë nga bregu, shërbimet e Policisë Kufitare kanë nisur menjëherë kërkimet për gjetjen e tyre. Pas kërkimeve me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, janë konstatuar rreth 3 milje larg bregut, 2 mjetet lundruese pedalone dhe 2 drejtuesit e tyre. Shërbimet e Policisë Kufitare i kanë nxjerrë në breg këta 2 shtetas, bashkë me mjetet e tyre lundruese.”-njoftoi policia.

Një tjetër rast është raportuar nga autoritetet, kësaj here në Velipojë. Shërbimet e policisë kufitare të Shkodrës kanë ndihmuar një pushues i cili rrezikoi të mbytej për shkak të dallgëve të larta në plazhin e Velipojës.

“Shërbimet e Policisë Kufitare Shkodër i kanë shkuar në ndihmë një shtetasi që ishte në rrezik mbytjeje për shkak të dallgëve të larta, në plazhin e Velipojës. Pas ndërhyrjes së shpejtë, shërbimet e Policisë e kanë nxjerrë në breg këtë shtetas dhe i kanë dhënë ndihmën e parë.”-njoftoi policia.