Një sherr masiv mes 12 personave, pjesëtarë të dy fiseve, ka degjeneruar në përdorimin e armëve të zjarrit në fshatin Gjashtë të Sarandës. Të përfshirë në sherr, kanë qenë dhe 4 punonjës policie, tre prej të cilëve vëllezër.
Ngjarja ka ndodhur në orët e pas mesnatës, në 01:35 të mëngjesit të së enjtes. Oficerët e përfshirë në sherr janë Alvaro Sulejmani (oficer i policisë në Himarë), Kidi e Ergis Sulejmani (oficerë kufitarë në Sarandës) si dhe Redi Sulejmani (student në akademinë e policisë në Tiranë).
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, shkas për sherrin mes dy fiseve Sulejmani e Nexhipi, ka qenë një debat për çështje borxhi.
Pjesëtarë të fisit Sulejmani, kishin marrë një makinë me qira tek dy vëllezërit, Enea e Albi Nexhipi. Konflikti ka nisur për çështjen e detyrimit monetar për qiranë e automjetit.
Anëtarë të fisit Sulejmani që kishin marrë makinën me qira, të shoqëruar nga 3 oficerët e studenti i akademisë, kanë shkuar në shtëpinë e dy vëllezërve. Prej aty ka nisur një konflikt fizik, me grushte e sende të forta.
Oficerët, që kanë patur dhe armët e shërbimit me vete, kanë qëlluar me to. Nga ana tjetër, në krah të vëllezërve Nexhipi, ka qenë një ish oficer i policisë së Sarandës, Igli Duka.
Dy vëllezërit Nexhipi u dërguan në spital pas lëndimeve të marr nga goditjet me sende të forta. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, ata janë shoqëruar në komisariatin e policisë së Sarandës.
Dy prej të dyshuarve, Alvaro Sulejmani dhe Beqir Cocka, janë dorëzuar vullnetarisht në Komisariatin e Policisë Sarandë. Një tjetër person, Mihal Sulejmani, gjithashtu është paraqitur në polici.
“Më datë 02.01.2025, rreth orës 01:35, në fshatin Gjashtë, Sarandë, dyshohet se janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta, duke përdorur sende të forta, disa shtetas, ndërmjet tyre dhe punonjës policie jashtë shërbimit.
Si pasojë e konfliktit, kanë mbetur të dëmtuar shtetasit E. N. dhe A. N., të cilët, pas marrjes së ndihmës mjekësore në spital, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Sarandë për veprime të mëtejshme”,-njoftoi policia më herët.