Sherr për një xhaketë! 15 vjeçari shqiptar godet me thikë moshatarin, policia greke arreston prindërit

Një 15 vjeçar shqiptar është ndaluar nga policia greke në Oropos nën akuzën e plagosjes së një bashkëmoshatari me thikë, për një motiv fare banal.

Media greke shkruan se dy të rinjtë janë përleshur për një xhaketë, ndërsa 15 vjeçari shqiptar ka goditur me thikë bashkëmoshatarin. Ngjarja ka ndodhur në fundjavë rreth orëve të pasdites. Sipas shokëve të të rinjve, të miturit kishin lënë një takim pranë ambienteve të gjimnazit në Oropos për të ‘sqaruar çështjen’. 15 vjeçari shqiptar e ka goditur të miturin tjetër me thikë në pjesën e krahut.

Në momentin e ngjarjes, një oficer policie që në atë çast po kalonte rastësisht aty, ishte i pari që i erdhu në ndihmë të riut që u plagos duke thirrur ambulancën dhe autoritetet. 15 vjeçari i plagosur u dërgua me urgjencë në spital dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë policia njoftoi zyrtarisht më vonë se 15 vjeçari shqiptar është arrestuar nga autoritetet e së bashku me të dhe prindërit e tij, të cilët akuzohen për neglizhencë në mbikqyrjen e kontrollimin e të birit. Deri më tani thika që ka përdorur 15 vjeçari ende nuk është gjetur.