Sherri me thika e shkopa mes të miturve në Tiranë, policia: U lënduan dy fëmijë, tre të tjerë procedohen penalisht

Një sherr mes një grupi fëmijësh e adoleshentësh ndodhi ditën e hënë (9 dhjetor) në afërsi të pallatit të sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, ndërsa këtë të martë policia ka sqaruar se çfarë ka ndodhur.

Të miturit janë përleshur me sende të forta (thika e shkopinj), përfshi këtu edhe mjete piroteknike (flakadanë, kapsolla e fishekzjarre). Dy fëmijë në moshat 10 e 14 vjeç kanë mbetur të lënduar. Tre të tjerë janë proceduar penalisht, më konkretisht tre të mitur në moshat 14, 14, e 15 vjeç.

Nga të dhënat paraprake, duket se sherri mes të miturve ka nisur mes dy tifozerive që kanë ndjekur një ndeshje basketbolli më parë në ambientet e pallatit të sportit.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 proceduan penalisht 3 shtetas të mitur të moshave 14, 14 dhe 15 vjeç, pasi ditën e djeshme, në afërsi të pallatit të sportit ‘Asllan Rusi’, janë konfliktuar, dyshohet me sende të forta, me disa bashkëmoshatarë të tyre. Si pasojë janë dëmtuar dy të mitur të moshave 10 dhe 14 vjeç. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan tre mjete prerëse, lëndë piroteknike (flakadanë dhe fishekzjarrë) dhe një send i fortë (shkop)”, njoftoi sot policia.