Sherri mes adoleshentëve përfundon në tragjedi, një 15 vjeçar ndërron jetë

Një ngjarje tragjike ka ndodhur këtë të martë pranë shkollës “Asllan Shahini” në qytetin e Gramshit, atje ku një 15 vjeçar ka mbetur i vrarë dhe një tjetër i plagosur. Siç njoftuan autoritetet, adoleshentë janë konfliktuar me njëri- tjetrin, duke përdour dhe mjete prerëse e doreza hekuri. (fotot e mëposhtme)

Mbetet ende e paqartë sesi ka nisur konflikti mes adoleshentëve. Nga të dhënat paraprake mësohet se disa prej tyre janë konfliktuar në rrjetet sociale dhe këtë të martë situata ka agravuar në përdorimin e armëve të ftohta.

Si pasojë e plagëve të marra, 15 vjeçari me inicialet F.B, ka humbur jetën në spital.

“Rreth orës 13:30, në lagjen “Sport 2”, Gramsh, në rrugë, pas një konflikti të çastit mes 5 adoleshentëve është plagosur rëndë me mjet prerës (thikë), njëri prej tyre, shtetasi F. B., 15 vjeç, i cili pasi është dërguar në spital, ka humbur jetën për shkak të dëmtimeve.

Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.

Pas ndjekjes nga Policia, janë kapur dhe janë shoqëruar në Komisariat, 4 adoleshentët (ndërmjet tyre dhe autori) e përfshirë në konflikt, konkretisht shtetasit E. K., 15 vjeç, A. C., 14 vjeç, O. C., 14 vjeç dhe S. M., 15 vjeç të cilët do të merren në pyetje nga specialistët për Hetimin e Krimeve, në prani të prokurorit, të psikologut dhe të prindërve të tyre.

Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe përcaktimin e autorësisë së ngjarjes.”-njoftuan autoritetet