Sherri mes disa të rinjve në Padova, kush është shqiptari i cili mbeti i vrarë

Media Italiane ka bërë publik emrin e të riut shqiptar i cili ndërroi jetë të dielën (dje) në Padova të Italisë fqinje, fill pas një sherri (me thika) mes disa të rinjve.

ANSA shkruan se fjala është për Albert Dedën, 24 vjeçar. Media italiane thekson po ashtu se autoritetet kanë arrestuar tashmë dy të dyshuar. Në pranga kanë rënë dy të rinj në moshat 19 e 24 vjeç, po ashtu me origjinë shqiptare. Identiteti i autorëve të dyshuar ende nuk është bërë publik në median lokale.

Dy të dyshuarit që banonin në të njëjtën ndërtesë ku jetonte viktima ishin nisur drejt Sllovenisë, por janë ndaluar në autostradë, afro 20 kilometër pa shkuar në pikën kufitare.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:00 të ditës së djeshme në lagjen Forcellini di Padova. Veç të ndjerit, të plagosur rëndë mbetën edhe dy të rinj të tjerë. Sherri mes të rinjve filloi brenda një banese, duke degjeneruar në dhunë e mandej me goditje me thika.

Media vendase shkruan se motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta.