Shfaqi probleme me zemrën, ndërron jetë 12 vjeçari në Korçë… i katërti rast brenda pak ditësh në qark

Një i mitur nga fshati Pocestë i Maliqit ka ndërruar jetë ditën e martë në spitalin e Tiranës, një lajm i cili është konfirmuar dhe nga drejtoria e shkollës 9 vjeçare në Vashtemi, atje ku 12 vjeçari ishte nxënës i klasës së 7-të.

12 vjeçari ka shfaqur probleme me tensionin e lartë dhe zemrën. I mituri është shtruar fillimisht në spitalin e Korçës, e më tutje është dërguar në Tiranë pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. 12 vjeçari ka pësuar arrest kardiak dhe ka ndërruar jetë.

Më herët (gjatë dhjetorit) 12 vjeçari ka qenë prekur nga një virozë gripi dhe është shtruar në spital për shkak të temperaturës së lartë dhe të vjellave. Pas përmirësimit të gjendjes ai është rikthyer në banesë më 31 dhjetor, por shëndeti i tij është përkeqësuar sërish.

Në lidhje me shkakun apo shkaqet që çuan deri në humbjen e jetës së të miturit, pritet një ekspertizë mjekoligjore për të zbardhur të plotë vdekjen e djalit.

Përgjatë ditëve të fundit, janë raportuar të paktën 3 raste të tjera, ku të mitur kanë humbur jetën për shkak të probleme në zemër. Rastet kanë ndodhur të gjitha në qarkun e Korçës. Konkretisht, një 16 vjeçar humbi jetën në qytet prej problemeve në zemër, një tjetër 17 vjeçare në Pogradec dhe një 15 vjeçare në Ersekë.

Dy ditë më parë në Pogradec, ambulanca dërgoi në spital një nxënës i cili po ashtu pati probleme kardiake. Fatmirësisht ky i fundit u lirua prej spitalit në gjendje të mirë.