Shijak: Rrahu e kërcënoi me jetë babain e moshuar, momenti kur RENEA prangos 35 vjeçarin

Ky është momenti kur Eduart Hoxha është shfaqur me një sëpatë në dorë, duke kërcënuar forcat e policisë që kishin mbërritur pas informacionit se 35 vjeçari kishte tentuar të vriste babanë.

Hoxha nuk pranoi t’i dorëzohej forcave të policisë dhe pas disa orësh negociata, për të neutralizuar të riun kanë ndërhyrë forcat speciale RENEA. Me prangosjen e tij 35 vjeçarit iu sekuestruan sëpata dhe një thikë, armë me të cilat ai kishte kërcënuar të atin.

Shërbimet e Policisë morën njoftim se në fshatin Rubjek, Maminas, një shtetas po dhunohej dhe po kërcënohej me mjete prerëse (sopatë dhe thikë), nga djali i tij. Pas informacionit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresen e dhënë ku kanë bërë të mundur parandalimin e dhunës dhe kanë nxjerrë nga banesa shtetasin e dhunuar. Gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e 35-vjeçarit që ushtronte dhunë ndaj babait të tij, ai ka kundërshtuar me dhunë shërbimet e Policisë lokale dhe është mbyllur në banesë, bashkë me mjetet prerëse.

Ndodhur në këto kushte, në ndihmë të Policisë kanë shkuar Forcat e RENEA-s. Pas disa orësh negociata, Forcat RENEA kanë ndërhyrë me forcë në banesë, duke bërë të mundur neutralizimin dhe vënien në pranga të shtetasit E. H., 35 vjeç, banues në Rubjek. Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë sekuestruan mjetet prerëse (sopatë dhe thikë).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.”-thuhet në njoftimin e policisë.