Autoritetet e Kosovës kanë konfiskuar sërish një sasi të konsiderueshme të armatimit të rëndë në pjesën veriore të vendit, që dyshohet se ka mbetur aty pas sulmit terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçani.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, tha në konferencë për media se policia e ka siguruar informacionin për gjetjen e arsenalit falë inteligjencës. Bastisjet janë kryer në rrethinat e Zveçanit, pranë zonës së Rudares.
Në mesin e arsenalit janë 1500 municione, 10 armë të gjata, 62 shok bomba, eksplozivë, radio-lidhje, karikatorë të mbushur e të zbrazët, dhe një uniformë e ushtrisë serbe.
Një person është ndaluar për t’u pyetur, i cili rezulton të jetë ish zyrtar i policisë së Kosovës. Arsenali është gjetur në afërsi të shtëpisë së tij.
Kujtojmë se më shtator të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit, një grup i armatosur serb sulmoi oficerët e policisë së Kosovës, duke i marrë jetën rreshterit Afrim Bunjaku.
Në shkëmbim të zjarrit me grupin terrorist u vranë tre prej sulmuesve. Mes grupit ushtarak ishte dhe drejtuesi i Listës Serbe Millan Radoiçiç, i cili ditë më tutje tha se jep dorëheqje dhe se përgjegjësia e sulmit ishte e tija dhe jo e Beogradit.
Një fakt i tillë është hedhur poshtë nga qeveria e Kosovës e cila thotë se sulmu u orkestrua dhe inskenua nga Beogradi zyrtar.