Në këtë muaj të bekuar të Ramazanit, njeriu afrohet me Zotin, Krijuesin e Gjithësisë.
Por ka plot syresh që nuk besojnë tek një Krijues. Ka plot të tjerë që janë dyshues tek ekzistenca e të Plotfuqishmit dhe që argumentojnë se përparimet shkencore janë një tregues, që na shpie drejt idesë së rastësisë dhe jo asaj të Krijimit nga një i Gjithëfuqishëm.
Në episodin e dytë të Podcast-it, Elvis Naçi shpjegon në detaje se përse zbulimet e fundit shkencore janë një e dhënë e qartë, që na bën të kuptojmë madhështinë e Krijuesit, natyrën e Tij perfekte.
Na ndodh shpesh me njerëzit që kemi jashtë. Na thonë disa ore shkenca po ecën shumë përpara, akoma me Zotin juve? Keni mbetur shumë prapa….
Elvisi: Kurse unë kam këtë përgjigje.Aq shumë na ka afruar shkenca me besimin tek Zoti, sa shtrohet pyetja, si kanë besuar ata para nesh?
Shkenca dhe shkencëtarët, një pjesë muslimanë, një pjesë kristianë, një pjesë ateisë, nuk ka rëndësi. Shkencëtarët i kanë shërbyer kësaj bote dhe njerëzve, na kanë dhënë informacion për universin. Sa më shumë është studiuar universi, aq më shumë është dalë në konkluzionin që është preçiz, madhështor, i mrekullueshëm, një dizajn perfekt… e çfarë të jep kjo?
Kjo të jep që, ai Zot që i cili, ne krijimet e Tij i kemi parë në të përgjithshmen e vet, tani janë studiuar në hollësi dhe na tregojnë se çdo gjë është perfekte. Ku na afron kjo?
Kjo na largon nga rastësia, kjo na afron tek Zoti.
Shtroj pyetjen, ai që e ka parë diellin përpara 1 mijë dy mijë vitesh, nuk është njëlloj si personi që sot e shikon diellin… që e di që dielli është krijuar para 4 miliardë e 600 milionë viteve. Që hidrogjenin e kthen në helium për të dhënë nxehtësinë që shohim ne sot, për 8 minuta vjen drita e diellit… pra ka informacione të frikshme, të bukura.
Çfarë na bën kjo? Kjo na lidh më shumë me Zotin e Gjithësisë. Ne themi, po ato përpara nesh si e kanë patur besimin aq të madh?
Pra, çdo gjë që zbulohet, zbulon perfeksionin e krijuesit. Prandaj ne themi sot që, ai që i cili studion dhe shikon më në thellësi çfarë është zbuluar për universin, bëhet edhe më shumë besimtar.