Astronomët kanë në dispozicion për herë të parë të dhëna, sesi një yll i ngjashëm me Diellin tonë, arrin të asgjësojë një planet, duke hedhur kësisoj dritë mbi ‘fatin’ e Tokës dhe planeteve të tjera që orbitojnë pranë Diellit
E nëse Diellit tonë do t’i duhen të paktën miliarda vite për të hyrë në fazën e rritjes eksponenciale të përmasës të tij, ylli i vëzhguar nga një grup studiuesisht në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets, është tanimë në fazën e “gjigandit të kuq” dhe e ka “gllabëruar” një planet brenda javës.
“Ne e dimë se diçka e tillë duhet t’u ndodhë të gjitha planeteve që orbitojnë në distanca më të vogla se ajo e Tokës me diellin, por një ngjarje e tillë ishte konsideruar një sfidë tepër e vështirë për t’u provuar përmes të dhënave konkrete”-tha për Space.com Kishalay De, drejtuesi i ekipit të studiuesve që ndoqën rastin.
Puna me evidentimin e të dhënave nisi që në vitin 2020, kohë në të cilën shkencëtarët panë një shpërthim të fuqishëm të rrezatimit në ZTF SLRN-2020, një zonë afro 12,000 vite dritë larg nesh, po në galaktikën tonë. Një yll u rrit në ndriçim me një faktor prej 100, brenda një periudhe një javore.
Pas analizimit të të dhënave, grupi i astronomëve kalkuloi se ylli kishte ‘gllabëruar’ një planet në përmasat e Jupiterit.
Zbulimi sjell një mori pikëpyetjesh, shpjegoi Kishalay De.
“A mundi planeti t’i shpëtojë ‘zhytjes’ apo u shkatërrua plotësisht nga ylli? Planeti u vu ‘në kontakt’ me yllin për shkak të rritjes së përmasave të këtij të fundit, apo diçka e shtyu drejt yllit” Të tilla përgjigje do të mund t’i marrim teksa vijojmë të mbledhim të dhëna për këtë rast dhe raste të tjera të ngjashme në të ardhmen”-tregoi astronomi.