“Mosha” e një prej llojeve më komplekse e misterioze të dunave, është mundur të zbulohet për herë të parë falë një teknike shkencore.
Fjala është për dunat yje, njohur ndryshe si dunat piramida. Lartësia e këtyre maleve me rërë arrin deri në disa qindra metra. Të tilla duna gjenden në të gjitha shkretëtirat e globit tonë dhe jo vetëm. Dunat piramidale janë evidentuar edhe në planetin Mars si dhe në njërën prej hënave të Jupiterit.
Avancimet e fundit në zbulimin e moshës së këtyre masivëve të rërës janë kryer duke studiuar një ‘dunë piramidë’ në Marok, njohur si ‘Lala Lallia’. Duna në fjalë është 100 metër e lartë dhe ka një gjerësi prej mbi 700 metrash.
Sipas kalkulimeve të kryera, kjo dunë rezulton të jetë formuar 13 mijë vite më parë. Por ajo që ka habitur studiuesit është fakti se duna Lala Lallia në Marok, e ka ‘ndaluar’ rritjen e saj për afro 8 mijë vite, për t’u zmadhuar në përmasat e sotme vetëm në 1 mijë vitet e fundit. Studiuesit po ashtu zbuluan dhe shpejtësinë me të cilën duna “lëviz”.
“Këto gjetje me siguri do të habisin shumë njerëz, pasi përmes tyre mund të shohim sesi kjo dunë masive u formua dhe faktin se po lëviz nëpër shkretëtire afro 50 cm në vit”-tha prof. Geoff Duller, një prej drejtuesve të studimit.
Por cila është teknika që është përdorur për të hedhur dritë mbi moshën dhe normën e lëvizjes së dunës në shkretëtirë?
Shkencëtarët kanë përdorur një teknikë që njihet si datimi përmes luminishencës. Metoda kalkulon kur kokrrizat e rërës kanë qenë të ekspozuara ndaj dritës për herë të fundit. Një seri me kampionë të rërës u morën nga duna përgjatë orëve të natës dhe u analizuan në një laborator të errët me drita të kuqe (të ngjashme me laboratorët e dikurshëm të fotografisë). Mineralet e gjendura në kokrrizat e rërës kanë një aftësi të ngjashme me ‘bateritë’, pasi ato ruajnë energjinë e ardhur nga rrezatimi i dritës në ambientin natyral. E sa më shumë një kokrrizë rëre të jetë e ‘varrosur’ nëntokë, aq më i lartë është radioaktiviteti dhe energjia që ajo ruan.
Kur kokrrizat e rërës ekspozohen në laborator, ato lëshojnë energjinë e mbledhur në formën e dritës e cila mund të kalkulohet nga shkencëtarët si ‘mosha’ e tyre.
“Në laboratorin e errët, ne shohim dritën që rrezatohet nga këto kokrriza rëre. Sa më e shndritshme të jetë drita, aq më shumë e ‘vjetër’ është grimca e njëkohësisht aq më shumë kohë ka qëndruar e mbuluar”-shpjegoi prof. Duller.