Shkencëtarët zbulojnë mikrobe që shpërbëjnë plastikën në temperatura të ulëta

Mikrobe të cilat mund të konsumojnë plastikën në temperatura të ulëta, janë zbuluar nga shkencëtarët në zonat e Alpeve dhe Arktikut, të cilat mund të kthehen në një vegël të vlefshme për riciklimin.

Shumë mikroorganizma që kanë enzima për të shpërbërë plastikën janë gjetur prej kohësh, por problemi ka qenë temperatura. Mikroorganizmat në fjalë kërkonin një temperaturë prej mbi 30 gradësh celcius për të bërë të mundur reaksionet kimike për shpërbërjen e plastikës. Me fjalë të tjera, do duhej që industritë të përdornin nxehtësi e kësisoj të ndosnin ambientin.

Por një grup shkencëtarësh nga Instituti Federal i Zvicrës, kanë gjetur mikrobe që mund të shpërbëjnë plastikën në temperatura relativisht të ulëta (15 gradë celcius). Zbulimi është publikuar në gazetën shkencore “Frontiers in Microbiology”.

Dr. Joel Rüthi dhe kolegët e tij eksperimentuan me disa lloje mikroorganizmash në Groenlandë, Svalbard (Norvegji) dhe Zvicër. Ato i lanë mikrobet në prezencën e plastikës, errësirës dhe temperaturave 15 gradë celcius. Disa prej mikrobeve arritën të ‘hanë’ lloje plastike bio të degradueshme… por jo plastikën e njour si polietilen (PE, jo bio e degradueshme)

Studiuesit zbuluan se ishin dy specie fungale (Genera Neodevriesia dhe Lachnellula) të cilat mundën të shpërbëjnë të gjitha plastikat e provuara, përveçse PE-së.

“Tanimë sfida e radhës është të identifikojmë enzimat që degradojnë plastikën dhe të optimizojmë procesin për të përfituar sasi të mëdha proteinike. Në vijim, do të kërkohet një modifikim i enzimave në fjalë për të ruajtur stabilitetin e tyre”-tha një prej shkencëtarëve.

Burimi: The Guardian/ Përshtati: FCH.al