Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në lagjen “Tom Kola” në Shkodër, atje ku një 51 vjeçar i identifikuar si Petrit Vuksani është qëlluar për vdekje me armë. Ngjarja ka ndodhur në banesën e viktimës. Arsyet e këtij krimi të rëndë mbeten ende të paqarta, ndërsa i ndjeri sapo ishte kthyer nga Britania, afro një muaj më parë.
Policia njofton se ka nisur punën për kapjen e autorit të dyshuar, por nuk ka dhënë detaje në lidhje me identitetin e këtij të fundit.
“Rreth orës 12:15, në lagjen “Tom Kola”, në rrethana ende të paqarta, në banesë, është vrarë me armë zjarri shtetasi P. V., 51 vjeç. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Janë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrohet kontroll në zonë për kapjen e autorit të dyshuar. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për sigurimin e çdo prove, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit”, -njofton policia.