Shkodër: 6 vetë në sherr për një vend parkimi, një 62 vjeçar përfundon në spital

Pesë persona janë shpallur në kërkim nga autoritetet dhe njëri është arrestuar, pasi një 62 vjeçar u godit me sende të forta për motive banale. Ngjarja ka ndodhur në mes të ditës në rrugën ‘Pogej’ në Shkodër, ndërsa motivi ka qenë sherri për një vend parkimi.

Disa minuta para se 62 vjeçari të goditej me sende të forta, i biri i tij 27 vjeçar Alban Bruçi, ka debatuar me të arrestuarin Edmond Sakicaj për vendin e parkimit. 47 vjeçari Sakicaj, i cili është arrestuar, dyshohet se me vete mbante një armë zjarri.

E duket se ky i fundit më tutje ka goditur së bashku me të tjerë, babain e 27 vjeçarit i cili ka përfunduar në spital. Mbi rastin policia ka shpallur në kërkim 5 persona, mes tyre të birin e të lënduarit, për akuzën e veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës.

“Për ngjarjen është arrestuar 47-vjeçari me iniciale E.S. dhe janë shpallur në kërkim 5 persona të tjerë, konkretisht 23-vjeçari me iniciale I.S., 27-vjeçari me iniciale S.H., 31-vjeçari me iniciale A.K., 24-vjeçari me iniciale S.T. dhe 27-vjeçari me iniciale A.B., që të gjithë banues në Shkodër.

Këta persona kanë goditur fizikisht me sende të forta gjatë konfliktit për vendparkimin e automjeteve 62-vjeçarin i cili vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 47-vjeçari me iniciale E. S. ka patur me vete armë zjarri, ndërsa 27-vjeçari me iniciale A. B. dyshohet se ka kryer veprime që pengojnë zbulimin e ngjarjes. Vijon puna për kapjen e shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”-njoftuan autoritetet.