Shkodër, reagimi familjes Arrazi për tragjedinë: Alma merrte ilaçe, Erdgysi nuk i ka keqtrajtuar fëmijët

Familja e  Erdgys Arrazi, i arrestuar nën akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes së të shoqes e tre fëmijëve të mitur, ka reaguar për median duke thënë se 31 vjeçari kurrë nuk i ka keqtrajtuar fëmijët, përkundrazi.

Ata kanë deklaruar se Alma Arrazi kishte probleme të shëndetit mendor dhe prej disa kohësh merrte ilaçe, ndërsa për 31 vjeçarin thonë se ai punonte gjatë gjithë ditës në dyqanin e tij të celularëve, për t’i siguruar arsimim privat fëmijëve të tij.

 “Jemi të lëndur dhe shokuar, nuk ia falim nuses vendimin fatal që ka ndërmarrë duke i marrë jetën vetes dhe tre fëmijëve. Erdgysi i kishte pikë të dobët fëmijët, ai nuk i ka keqtrajtuar asnjëherë. Punonte gjithë ditën në dyqan celularësh për t’i dërguar në shkolla private. Çifti kohët e fundit kanë patur debate dhe Alma merrte ilaçe në ambulatorin e lagjes për gjendje të rënduar emocionale, por këtë vendim as nuk mund ta imagjinonim.”

Vlen të theksohet se deri më tani, autoritetet nuk kanë mundur të gjejnë dokumente apo kartelë mjekësore në spital apo tek mjeku i familjes, për gjendjen e pretenduar të shëndetit mendor të nënës së tre fëmijëve.

Këtë të hënë kërkimet për gjetjen e trupave të Alma Arrazit e dy fëmijëve të tjerë janë zgjeruar deri në Malin e Zi. Deri më tani ende nuk janë gjetur trupat e tyre.