“Shkonin shumë mirë së bashku” Autori e dy viktimat ishin miq, vrasja dyfishtë në Roskovec pas sherrit të fëmijëve

Motivi i vrasjes së dy burrave (familjarë) në Roskovec, erdhi si pasojë e sherrit të mëhershëm që djali 21 vjeçar i autorit, kishte patur me djalin e njërit prej viktimave (Gramos Kurtajt).

Kështu të paktën thonë banorët e fshatit Kurjan, të cilët tregojnë të tronditur se autori dhe viktimat ‘hanin e pinin së bashku’.

“U shokuam, ngelëm pa fjalë, nuk themi dot gjë. Nuk kishin ngatërresa më parë. Po nga sherri i fëmijëve, nuk e prisnin as nga Altini, as nga këta. Njerëz punëtorë, të nderuar. Altini u dorëzua vetë në polici, me makinë vetë shkoi. Hanin e pinin bashkë, ishin si vëllezër. U zunë kalamajtë, djemtë zihen, por është puna që i nda i madhi”, thotë një banor i zonës.

Një tjetër banor thotë se një nga viktimat (Lavdimiri) dhe autori Altin Kuka, ishin të dy të adoptuar.

“Nuk e dimë si ka qenë momenti, kishin marrëdhënie shoqërore. Viktimat ishin vëllezër, por njëri nga këta ishte i adoptuar te xhaxhai, vëllezër ishin. Edhe autori është i adoptuar, baxhanaku e ka marrë të vogël e ka rritur këtu”, thotë ai.

Ngjarja ndodhi në qendër të fshatit, në një lokal në pronësi të Gramos Kurtaj, 52 vjeçar. Ky i fundit shoqërohej nga familjari i tij, 46 vjeçari Lavdimir Kurtaj, në momentin kur autori vrasjes së dyfishtë ka ardhur atje me makinë, së bashku me të birin.

Debati për sherrin mes dy djemve të Altinit e Gramosit ka degjeneruar në fyerje e përleshje fizike, ndërsa më tutje autori 49 vjeçar ka marë armën e zjarrit dhe ka qëlluar për vdekje Gramos  e Lavdimir Kurtajn. Gramosi ndërroi jetë në lokal, ndërsa nipi i tij në spitalin e Fierit.

Pas ngjarjes autori është ngjitur në makinën e tij dhe ka shkuar në komisariatin e policisë së Fierit. Armën e krimit e ka patur me vete.

Arrestohen dy djemtë e Altin Kukës

Në lidhje me ngjarjen e rëndë, policia e Fierit njoftoi së fundmi se ka arrestuar dhe dy djemtë e autorit të krimit të dyfishtë, E.K 21 vjeç dhe E.K 18 vjeçar. Autoritetet thonë se djemtë kanë bashkëpunuar me të atin në vrasjen e Gramos e Lavdimir Kurtajt.

Veç fëmijëve të autorit Altin Kurti, policia thotë se ka arrestuar dhe një 67 vjeçar, banues në fshatin Çukalat, për veprën penale ‘përkahja e autorit të krimit’.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në Roskovec, ku u vranë me armë zjarri 2 shtetas, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasit:

A. K., 49 vjeç, E. K., 21 vjeç dhe E. K., 18 vjeç (babai dhe 2 djemtë e tij), të tre banues në Fier, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri automatik, shtetasit L. K., 46 vjeç, dhe G. K., 52 vjeç, për motive të dobëta;

-T. Z., 67 vjeç, banues në fshatin Çukalat, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302 i K. Penal.

Gjithashtu, u refruan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shkak të moshës, për shtetasin Y. K., 79 vjeç, banues në fshatin Kurjan (babai i shtetasit A. K.), për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje i armëve të gjuetisë dhe sportive”, parashikuar nga nenet 278 dhe 280 i K. Penal.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu, 4 krehra, municion luftarak, 5 automjete dhe 1 motoçikletë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.