Shoqërohet edukatorja që dhunoi rëndë 3 vjeçaren, kopshti privat ishte i palicensuar

Është ndaluar nga policia edukatorja M.Dehima, gruaja e cila është regjistruar nga kamerat e sigurisë së kopshtit privat ku punonte, teksa dhunon një vajzë 3 vjeçare.

Mbrëmjen e kaluar emisioni ‘Stop’ në Klan publikoi pamjet, ndërsa familjarët e vogëlushes treguan se vajza kishte thyer njërën këmbë në kopësht. Edukatorja ëshë duke u pyetur nga hetuesit, ndërsa në lidhje me rastin e rëndë kanë reaguar dhe institucionet.

Ministria e Arsimit njoftoi se kopështi privat në zonën e ‘Ali Demit’ në Tiranë, rezulton të ketë qenë i palicensuar.

Pas transmetimit të ngjarjes së rëndë në emisionin “Stop” në Tv Klan, Ministria e Arsimit dhe Sportit i ka kërkuar menjëherë Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake marrjen e masave për mbylljen e menjëherëshme të kopshtit “Stinët”, pasi, nga verifikimet e kryera rezulton se kopshti është në paligjshmëri dhe ushtron aktivitetin i pa licensuar si institucion arsimor parauniversitar privat, në zbatim të ligjit nr.10 081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe ligjit nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Ministria e Arsimit dhe Sportit, Policia e Shtetit, Policia Bashkiake, Inspektoriatet, do të ngrenë Task-Forcën për kontrollin e plotë në territor për subjekte që ushtrojnë veprimtarinë në shërbimet parashkollore për fëmijë dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që institucionet arsimore, publike apo private, të ofrojnë një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur për fëmijët, në zbatim të legjislacionit në fuqi.