Shpendët e ngordhura në plazhin e Vlorës, autoritetet konfirmojnë: Është virusi ‘gripit të shpendëve’

Tri ditë më parë në plazhin e Vlorës u gjetën disa shpendë të ngordhura në bregdet. Numri i shpendëve të ngordhur tërhoqi vëmendjen e qytetarëve si dhe autoriteteve, të cilat kanë kryer analizat.

Sipas rezultateve të kryera mbi këto shpendë, është konfirmuar tanimë prania e virusit të ‘gripit të shpendëve’.

Autoritetet bëjnë me dije se shpendët e ngordhur nuk kanë patur kontakt me shpendë shtëpiakë, të cilët janë veçanërisht të rrezikuar nga virusi.

Virusi i gripit të shpendëve deri më tani është identifikuar tek shpendët e egra e ato që jetojnë pranë ujit. Nuk ka ende asnjë raportim për kontakt të sëmundjes me shpendët shtëpiakë.

Gripi i shpendëve është një virus ngjitës që mund të prekë gjitarët, përfshi dhe njerëzit.