Shpërthimi fuqishëm pranë portit të Sarandës, ‘polumbari’ i vdekur ende i paidentifikuar

Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e të hënës në Sarandë, ku një shpërthim i fortë pranë portit detar tronditi qytetin.

Një person humbi jetën si pasojë e këtij shpërthimi. Mbi 12 orë pas ngjarjes së mistershme, viktima ende nuk është identifikuar nga ana e autoriteteve.

Të ndjerin e sollën në spital dy shtetas të huaj, të cilët thanë se po shkonin drejt jahtit të tyre të ankoruar në port.

Viktima ishte i veshur me rroba polumbari por ende nuk është saktësuar sesi ka ndodhur shpërthimi që i mori jetën. Më herët u raportua se të ndjerit mund t’i ketë shpërthyer bombula e oksigjenit gjatë orvatjes së tij për të hyrë në ujë.

Ende nuk dihet se përse viktima ka shkuar të hyjë në det gjatë orëve të mbrëmjes. Policia ushtroi kontroll përreth zonës, por nuk ka gjetur asnjë mjet lundrues të braktisur, që mund të lidhet me viktimën.

Trupi pajetë është dërguar drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore në kryeqytet për të zbuluar shkakun e vdekjes, ndërsa policia në Sarandë vijon hetimin për të zbardhur vdekjen e mistershme.