Shefi i marinës italiane, admiral Enrico Credentino ka shfaqur shqetësimin se flota ruse e ka shtuar ndjeshëm prezencën e saj me anije e nëndetëse luftarake në detin Mesdhe brenda javëve të fundit. Credentino është shprehur se një prani e tillë “nuk është vërejtur as në periudhën e Luftës së Ftohtë”.
“Një nga pasojat më të menjëhershme të konfliktit në Ukrainë, është rritja mbresëlënëse e numrit të anijeve të flotës ruse në Mesdhe dhe Detin e Zi. Rreziku i një aksidenti është i mundshëm dhe kur ka një aksident të kësaj natyre nuk e di se ku mund të përfundojë”-tha shefi i shtabit të përgjithshëm të marinës italiane.
Më tutje admirali shpjegoi se flota ruse “ka kaluar nga prania e një anijeje të vogël mbështetëse në 2015 në portin e Tartous (në Siri), në pesëmbëdhjetë anije dhe tre nëndetëse të vendosura në Mesdhe deri pak javë më parë”.