Përgjatë tre viteve të fundit në Shqipëri, janë vrarë 32 gra. Kjo është një ndër gjetjet e publikuara nga Observatori Shqiptar i Femicidit, strukturë e krijuar së fundmi në brendësi të asaj të Avokatit të Popullit.
Sipas gjetjeve të raportit për periudhën 2021-2023, shumica dërrmuese e vrasjeve ndaj grave, janë kryer nga një partner ose anëtar i familjes. Më konkretisht 90% e rasteve (27 vrasje), rezultojnë të jenë vrasje të kryera nga bashkëshortët/partnerët ose anëtarë të familjes.
Në raport thuhet se 24 nga 32 vrasjet janë identifikuar si femicid, që në dallim nga vrasja zakonshme, përkufizohet si vrasja e një gruaje/vajze për shkak të gjinisë së saj.
Nga ana tjetër, shumica e këtyre vrasjeve, (60% e tyre) ndodhin në banesën e viktimës.

Një tjetër gjetje shqetësuese që përcjell raporti, është fakti se shumica dërrmuese e grave apo vajzave që janë vrarë, kanë përjetuar dhunë sistematike nga personat që më pas kanë kryer krimin.
Raporti dhe të dhënat e nxjerra, kanë për qëllim kryesor që të shtyjnë përpara njohjen e femicidit si vepër penale dhe futjen e tij me nen të posaçëm në Kodin Penal të Shqipërisë. Gjithashtu raporti ngre shqetësimin e rritjes së koordinimit mes forcave të rendit, shërbimeve sociale dhe sistemit gjyqësor për të bërë më efikase mbrojtjen e grave në rrezik serioz për jetën.

